Pamje të publikuara sot tregonin grupe të rinjsh që përlesheshin dje në karnavalet e Notting Hill në Londër, teksa dita e fundit e festimeve ia la vendin ekseseve e dhunës në eventin tradicional problematik.
Të rinjtë shiheshin që vraponin të armatosur në një prej rrugëve kryesore të karnavalit pas përplasjeve ku tetë vetë u qëlluan me mjete të mprehta, një prej të cilëve është në gjendje të rënda.
Në imazhe një nga të rinjtë e maskuar shihet me një hanxhar të madh në dorë që e përdor si armë ndaj një personi të shtrirë përtokë.
Teksa të rinjtë vrapojnë, policë në kuaj përpiqen t’i ndjekin por nuk arrijnë t’i kapin prej shpejtësisë së tyre.
Policia e Londrës ‘Metropolitan Police’ tha se dita e fundit e karnavaleve ishte e mbushur me incidente dhune dhe përdorim armësh të ftohta.
Autoritetet thonin se gjatë fundjavës (të shtunë e të dielë) atmosfera ishte mjaft pozitive, përkundër të hënën e pushimit ku mes përplasjeve dhe një polic ishte plagosur.
Një total prej 275 arrestimesh u bënë dy ditët e fundit të festimeve, shumica të hënën.
Zhvillimi vjen pas dy ditë muzike zhurmuese dhe kërcimesh nga të gjitha kulturat e botës, kryesisht latine-afrikane, kostume shumëngjyrëshe dhe paruke zbukurimi që mbaheshin pa censurë nga kërcimtaret dhe pjesëmarrësit.
Autoritetet thanë se kanë nisur pastrimet e festës teksa shumë ankesa janë regjistruar nga rezidentët e qendrës së Londrës që nuk duket se e mirëpresin celebrimin vibrant të festës me origjinë nga kultura e historia e Karaibeve.
Rreth dy milionë pjesëmarrës u llogaritën të zbrisnin në bulevarde kësaj fundjave, që për fat të keq sot solli shfaqje të shëmtuara dhune.
Top Channel