Vijon paqartësia nëse ish-kryeministri do të lirohet nga burgu pas disa vendimve kontradiktore të zyrtarëve të gjyqësorit.
Gjykata e lartë e Pakistanit ka vendosur sot të pezullojë dënimin e ish-kryeministrit Imran Khan për akuzat e korrupsionit, tha sot avokati i tij, edhe pse nuk është ende e qartë nëse kjo do të çojë në lirimin e tij.
70-vjeçari ish-sportist me mbështetje të gjerë në popull, ka qenë në qendër të trazirave të rënda politike në vend që prej largimit nga posti me një mocion mosbesimi në prill 2022 dhe më pas me arrestimin e tij pas një prishjeje të marrëdhënieve me gjeneralët e ushtrisë.
Burgosja e Khan më 5 gusht dhe më pas ndalimi i i kandidimit të tij në zgjedhje për pesë vjet, kanë shkaktuar protesta të dhunshme në vend.
Sot avokati i tij Naeem Panjutha në një mesazh në rrjetet sociale shkruante: “Verdikti është pezulluar, falë Zotit.”
Grupi ligjor i Khan kishin bërë një apelim me argumentet se gjykimi ishte dhënë pa mundësi mbrojtjeje.
Avokati tjetër i tij Shoaib Shaheen, shtoi për gazetarët se ish-kryeministri pritet të lirohet me kusht, por nuk është e qartë nëse do të lirohet prej akuzave për çështje të tjera.
Khan përballet me akuza si nxjerrje të sekreteve të sigurisë së shtetit, orkestrim protestash të dhunshme apo dhe nxitje vrasjeje.
Pezullimi i dënimit është gjithsesi një fitore për Khan teksa një ditë më parë gjykata e Balochistan hodhi poshtë akuzat e kryengritjes ndaj tij, duke thënë se ishin depozituar në mënyrë të papërshtatshme.
Top Channel