Disa armë iu gjetën të fshehura në banesë Gentjan Hoxhës, i cili u arrestua një natë më parë në zonën e Brrylit në kryeqytet, pasi në makinë iu gjetën armë të ftohta si edhe doza kokaine dhe heroine.

Ky operacion është në vijim të shumë të tjerëve të organizuar nga policia kundër armëmbajtjes pa leje. Top Channel mëson se nga fillimi i vitit deri në këtë fund gushti janë sekuestruar 180 armë zjarri.

Armët më të përdorura nga personat me rekorde kriminale janë pistoleta dhe kallashnikovi, në këto 8 muaj policia ka sekuestruar 160 të tilla. Shumica e tyre janë prodhime të reja që dyshohet se kanë ardhur nga jashtë vendit.

Në laboratorin e policisë janë edhe dy mitrolozë të lehtë dhe qindra municione, të cilat po ekzaminohen për të kuptuar nëse janë përdorur në ngjarje të mëparshme.

Shqetësues mbetet edhe fenomeni i prodhimit dhe i tregtimit të minave me telekomandë. Gjatë këtij 8 mujori, Policia e Shtetit ka sekuestruar 8 të tilla. Ato preferohen nga grupet kriminale për të eliminuar kundërshtarët pasi eksplozivi fsheh provat dhe policia e ka të vështirë të shkojë në emrat e ekzekutorëve. I tillë ishte rasti i eliminimit të Aleksandër Sadikajt qershorin e vitit të kaluar, që është ende pa autor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA