Mes flakëve të luftës, zjarrfikësit ukrainas ndihmohen nga SHBA dhe Evropa

28/08/2023 09:13

Zjarrfikësit në Ukrainë janë tejet të ngarkuar në misionin e tyre të shpëtimit, për shkak të sulmit rus ndaj vendit të tyre.

Këtë vit, ata po bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, që po i mbështesin zjarrfikësit ukrainas për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish në Ukrainë.

Zoti Roman Kachanov është punonjës i ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikës me mbi 16 vjet përvojë pune në Kharkiv. Ai thotë se për shkak të sulmit rus dhe sulmeve të pareshtur me granata, puna e tij është shtuar shumë.

“Ka shumë më shumë punë dhe është bërë më e mundimshme. Mbartim më shumë peshë, duhet të veshim këta jelek që peshojnë rreth 15 kilogramë, që është më shumë se çfarë kemi veshur zakonisht. Kemi mungesë pajisjesh e trajnimi, por tani kemi me shumë pajisje, fale ndihmës nga Evropa dhe Amerika,” thotë ai.

Ndihma ka ardhur edhe nga një fondacion bamirësie, i quajtur “Të bashkuar për Ukrainën”, i themeluar nga ukraino-amerikanët, që jetojnë në Uashington.
Zoti Kachanov dhe kolegët e tyre u takuan me përfaqësuesit e fondacionit gjatë një konferencë të madhe të zjarrfikësve në Indianapolis, në prill të vitit 2023.

“Ndersa po u tregonim njerëzve për misionin tonë, mblodhëm shumë kontakte, që pastaj na ndihmuan me kontakte tjera të vlefshme në Nju Jork, Çikago, Uashington. Po ashtu, disa departamente zjarrfikësish na dhanë makina të ndihmës së parë”.

Punonjësit e shërbimeve te emergjencës në rajonin e Kharkivit thonë se marrin 10 thirrje në ditë për ndihme nga kjo pjesë e Ukrainës. Një mision shpëtimi mund të zgjase disa ditë.

Për shkak të luftimeve të vazhdueshme, ata përballen me më shumë rreziqe nga minat dhe granatat, thotë zoti Serhii Bilous, një zjarrfikës nga Kharkivi, me përvojë 13 vjeçare.

“Një ndërtesë pesëkatëshe u qëllua nga një raketë dhe ndërkohë që kolegët po ndalnin zjarrin në njërën anë të ndërtesës, ne të tjerët po përpiqeshim t’i nxirrnim njerëzit nga gërmadhat. Dhe gjatë gjithë kohës kishte sulme me granata. Meqë struktura e ndërtesës nuk ishte e qëndrueshme, ishte e frikshme edhe për ne, por përfundoi mirë”, tha ai.

Që kur Rusia sulmoi Ukrainën, në shkurt 2022, zyrtarët e garnizonit të Kharkivit thanë se kanë marrë mbi 200 makina të specializuara dhe pajisje nga shtetet tjera.

Për shkak se ndodhet pranë vijës së frontit, ky rajon shpesh është në shënjestër të sulmeve me granata dhe bombardimeve, thotë zoti Kachanov, ndaj dhe nevoja për më shumë pajisje, për të pastruar gërmadhat është e vazhdueshme. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA