Gjatë viteve të fundit bregdeti i Shëngjinit po pëlqehet jo vetëm për bregdetin, por edhe për pasuri të paluajtshme.
Krahas shqiptarëve të Kosovës apo Maqedonisë, interes të lartë shprehin turistet e huaj, dhe zonat më të pëlqyera mbeten “Rana e Hedhun” dhe laguna e Kunes.
“Blerësit më të mëdhenj janë shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Ata kërkojnë apartamente me pamje nga deti. Zonat më të preferuara janë zona e Lahunës së Kunës dhe zona e Ranës së Hedhun”, tha agjenti imobiliar, Emirjan Lazri.
Edhe pse çmimi është rritur me 25%, kjo nuk i ka penguar aspak turistët që të blejnë një prone dhe periudha që ka kërkesën më të lartë është mesi i muajt gusht dhe shtatorit.
“Periudha 15 gusht-15 shtator, sepse është periudha që mendojnë edhe për pushime edhe për të blerë diçka. Kemi pasur një numër shumë të lartë të turistëve në muajin korrik, që u kanë lënë mbresa Shëngjini dhe janë rikthyer në muajin gusht për të blerë një apartament”, shtoi Lazri.
Cmimi i ulët për metër katror, afërsia me bregdetin apo dhe afërsia me aeroportin e Rinasit janë disa nga arsyet kryesore pse zgjedhin të kenë një shtëpi banimi në bregdetin e Shëngjinit, ku në krye të listës nga të huajt janë shtetasit polak.
“Këtë vit kemi pas kërkesa edhe nga Evropa Lindore dhe Qëndrore. Shtetas çek, polak, austriak dhe gjerman që kanë shprehur interes për blerjen e pronave në bregdetin e Shëngjinit. Shtetasit polak mund të kenë blerë deri tani rreth 200 apartamente në bregdetin e Shëngjinit”, tha agjenti imobiliar.
Numri i apartamenteve të ndërtuar vitet e fundit ka pësuar një rritje të ndjeshme për shkak të kërkesës së lartë për të patur një shtëpi banimi në Shëngjin.
Top Channel