Protestuesit në Francë kërkojnë ndalimin e ‘përvetësimit të ujit’ me projektet e rezervuarëve (fotot)

25/08/2023 19:22

Ka vijuar sot në veriperëndim të Francës protesta e karvanit të aktivistëve kundër projektit të kontestuar të rezervuarëve, për të cilin ata thonë se është “vjedhje e ujit” nga industrialistët e bujqësisë me mbështetjen e qeverisë.

“Uji i përket të gjithëve dhe duhet të kryejmë një vëzhgim për mënyrën sesi kjo po menaxhohet”, tha Julien Le Guet, zëdhënësi i grupit “Basene, jo falemnderit” para se të takohej me zyrtarët lokalë të zonës Loire-Brittany.

Kolektivi i protestuesve që kërkon një moratorium për projektin e rezervuarve, kanë ngritur tashmë kampin e tyre para zyrave të agjencisë së ujit në Orléans.

“Ne kërkojmë ngrirjen e fondeve dhe pezullimin e projekteve të rezervuarve në Loire-Bretagne, dhe në të gjithë Francën. Ne kemi rënë dakord të takohemi me një anëtar të bordit të qeverisë dhe muajin e kaluar ata publikuan një mocion në lidhje me qëndrimin tonë”, tha më tej Le Guet per rrjetin AFP.

“Uji ynë nuk mund të menaxhohet nga lobi agro-industrial apo asnjë industri. Uji i përket të gjithëve”.

Përfaqësuesja e konfederatës së fermerëve Laurence Marandola, shtoi:

“Ne jemi fermerë dhe e dimë se ç’do të thotë të ndash ujin e ta kursesh që ta përdorin të gjithë. Uji i bujqësisë nuk mund të mblidhet për t’i shërbyer modelit agro-industrial, monopolizimi ujit është diçka e dëmshme dhe e paqëndrueshme”.

Marandola shtonte se fermerët kërkojnë dialog dhe ndërprerje të punimeve të nisura.

“Ne duam dialog me kusht ndërprerjen e punimeve në progres. Për ne deri tani ky është një sinjal i refuzimit të dialogut dhe kjo na ndalon të bëjmë përpara me atë që duam të ndërtojmë si një shoqëri. Kjo është një politikë për ujin, sistemi i menaxhimit të ujti të rajonit në përshtatje me burimet, që të jetë i qëndrueshëm dhe për të gjithë”, shtoi perfaqesuesja.

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA