Presionet greke për pengimin e integrimit në BE, Rama: Krenar për çfarë kam bërë. S’ka shans për kërcënime

25/08/2023 13:48

Në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama i pyetur nga gazetarët për çështjen Beleri dhe kërcënimet e zyrtarëve grekë për bllokimin e fondeve nga BE dhe integrimin, është shprehur se atë çfarë ka bërë deri më tani me reformën në drejtësi është tepër krenar dhe se nuk ka shans dhe vend për kërcënime.

Reforma në drejtësi në Shqipëri është gjëja më e madhe, më  e rëndë, gjëja më e pa imagjinueshme deri para pak vitesh që i ka ndodhur shtetit Shqiptar, jo sot për në historinë e vetë. Përgjigja më e madhe sepse qysh nga dita e parë e krijimit të shtetit shqiptar nuk ka pasur asnjëherë këtë drejtësi që të mos pyeste kush je, por të vepronte mbi këdo qoftë.

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar individë të lidhur me forcën në pushtet, qoftë forcën në pushtet monarki, qoftë regjim diktatorial komunist, qoftë edhe qeveri e zgjedhur me vota në sistem demokratik, nuk është marrë përpara drejtësisë. Është herë e parë që këta individë që merren përpara drejtësisë. Kjo është historike!

Është gjëja më e rëndë që i ka ndodhur Shqipërisë, sepse pesha e kësaj reforme i tejkalon të gjitha peshat e reformave të tjera. Është e rëndë sepse lidhet drejtpërdrejtë me lirinë e atyre që kanë pushtet. Mund ta humbasin lirinë n.q.s. e shfrytëzojnë pushtetin për të cenuar të drejtat e publikut apo individëve të tjerë. Unë mrekullohem kur dëgjoj që në vend se kjo të jetë një arsye e përbashkët për t’u ndjerë mirë që drejtësia më në fund pas 100 vitesh po vepron si e tillë, kthehet në arsye për të bërë cic -mic apo mjau-mjau.

Unë ndihem shumë krenar për këtë që kemi bërë. Patjetër kur është fjala për individë që jo vetëm i kam njohur, por i kam pasur afër, më vjen mirë në nivelin personal dhe njerëzor, por në nivelin e detyrës për të cilën kam qenë këtu ndihem krenar.  Ka qenë e paimagjinueshme se mund të ndodhte. Thënë të gjitha këto nuk ka shans të paktën sa të jem unë këtu. Sa të jem unë këtu presioni mbi drejtësinë e re të ushtrohet dhe të funksionojë duke kaluar përmes kërcënimeve apo situatave s’ka shans.

Kjo drejtësi është ajo që i duhet Shqipërisë që të bëhet shteti i atyre që e kanë krijuar. Kjo është një drejtësi që po funksionon dhe për këtë duhet të jemi të gjithë krenar. Ka një specifikë interesante gjithë kjo histori, në gabim në gabim, grekët janë të gjithë bashkë, politikanë, gazetarë, këtu është ndryshe, këtu nuk lihet rast pa i nxirë faqen Shqipërisë vetëm e vetëm për t’i rënë qeverisë apo mua personalisht, s’ka problem”, shprehet Rama.

Top Channel