Drejtoresha e Spitalit të Vlorës, Bruna Mersini ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhen fëmijët e helmuar polak, të cilët po marrin mjekim në urgjencë.
Sipas Mersinit, turistët e moshave 14-15-vjeç janë paraqitur me çrregullime gastrointensinale dhe gjendja e tyre tashmë është nën kontroll.
“Janë turist nga Polonia të moshës 14 dhe 15 vjeç. Situata ka ardhur pasi këta fëmijë kanë udhëtuar gjithë ditën, pasi kanë ardhur nga Shkodra që prej mëngjesit dhe kanë marrë anijen për në ishullin e Karaburunit.
Janë paraqitur me çrregullime gastrointensinale, por situata është nën kontroll.
Pra është thjesht ndodhemi në alarm për shkak të numrit të lartë të fëmijëve, por gjendja e tyre ndodhet nën kontroll”- tha Mersini.
Nëse do të flasim nga të dhënat paraprake, nga komunikimet që keni pasur me fëmijët, bëhet fjalë për helmim nga ushqimet e konsumuara në anije, apo nga ushqimet që kanë marrë me vete? E pyetur rreth kësaj çështje, Mersini tha se “skuadra e hetimit është duke kryer analizat përkatëse dhe shumë shpejt do të dalim në një konkluzion”.
“Ky është një shqetësim që ngrenë mjekët. Në momentin që na vjen një person me çrregullime gastrointensinale, fillojmë hetimin. Është hetim epidemiologjik dhe gjithë skuadra e hetimit është duke kryer analizat përkatëse dhe shumë shpejt do të dalim në një konkluzion të tillë. Këta janë fëmijë dhe edhe vapa, edhe qëndrimi në diell në Karaburun mund të jetë një arsye e dytë që ka shkaktuar situatën. Kështu që pa dalë analizat, pa dalë rezultatet e para, pa u kryer hetimi, ne nuk mund të japim një konkluzion. Gjendja shëndetësore e tyre është nën kontroll, si çdo lloj shqetësimi tjetër gastrointensinal. Thjesht alerti që ne japim, kuptohet vjen nga shqetësimi që kemi. Autobusi i fëmijëve, siç e shikoni, janë të gjithë fëmijët polak që janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Është një numër prej 50 fëmijësh në autobus, por këta janë fëmijë që nuk kanë paraqitur shqetësime. Fëmijët që kanë paraqitur shqetësime, numri i tyre është diku rreth 20-ës”- tha Mersini.
Shefja e repartit të Urgjencës në Spitalin e Vlorës, Lorena Arapaj ka deklaruar se krahas fëmijëve në Urgjencë, 7 të mitur janë dërguar në repartin e pediatrisë për trajtim.
Për mediet, Arapaj sqaroi se simptomat me të cilat ishin paraqitur fëmijët janë të vjella, dhimbje stomaku dhe dhimbje barku.
“Situata ishte alerte në momentin e mbërritjes. U paraqitën 20-25 fëmijë mbi 14 vjeç, ndërsa 7 fëmijë ndodhen në repartin e pediatrisë. Aktualisht situata është e menaxhuar. Janë në përgjithësi gastrointerite, që paraqiten me simptomat barkë, të vjella, dhimbje barku, dhimbje stomaku. Fëmijët kanë ardhur me autobus nga qyteti i Shkodrës. Po bëhet depistimi epidemiologjik dhe nuk e dimë nëse kjo është si pasojë e ekspozimit të tepërt në diell apo si pasojë e konsumimit të ushqimeve që kanë bërë gjatë rrugës”- tha Arapaj.
Insistimit të gazetarëve për shkakun e helmimit të fëmijëve shefja e repartit të Urgjencës në Vlorë iu përgjigj: “Këtu ndodhet tashmë ekipi epidemiologjik, po bëhet depistimi dhe do të priten rezultatet për të parë nëse është një intoksikim alimentar apo jo. Për momentin nuk kemi informacione se do të vijnë fëmijë të tjerë.”
Arapaj ka ritheksuar edhe njëherë se të gjithë fëmijët ndodhen në gjendje të stabilizuar.
Top Channel