Gjatë një deklarate për mediat ditën e sotme, kryeministri i vendit Edi Rama, ka komentuar situatën e kryebashkiakut të burgosur të Himarës Fredi Belerin. 

Rama tha se drejtësia duhet të vazhdojë të bëje punën e saj e patrazuar dhe se asnjë lloj interference në sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë përkrahjen.

Rama ndër të tjera tha se së shpejti do të mblidhet Asambleja Kombëtare ku pritet të merren disa vendime.

Fjala e kryeministrit:

Po ashtu, në këtë periudhë kemi patur, vazhduar të kemi më saktë mesazhe shumë të rëndësishme dhe shumë domethënëse nga sistemi i ri i drejtësisë, gjë që unë e kam vlerësuar edhe përmes rrjeteve sociale. Ndërkohë që, nga ana tjetër e dini shumë mirë të gjithë që kemi pasur edhe një situatë le të themi të inflamuar për shkak të problemit me drejtësinë të kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të jetë që drejtësia e re në Shqipëri duhet të bëjë e pa trazuar detyrën e saj. Dhe në këtë pikë asgjë nuk më e rëndësishme sesa mbrojtja me të njëjtën mënyrë siç kemi vepruar me të gjitha rastet e tjera e qetësisë së veprimtarisë së sistemit të ri të drejtësisë. Kështu që, asnjë lloj interference ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë.

Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë.

Ne nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë.

Ne nuk presim prej tyre asgjë tjetër, përveçse të zbatojnë ligjin dhe ne nuk kemi asgjë tjetër për t’iu dhënë atyre përveç mbështetjes sonë pa kushte, qoftë kur na vjen mirë, qoftë kur na vjen keq, qoftë kur na pëlqen, qoftë kur s’na pëlqen një vendim i tyre. Kjo është e panegociueshme për forcën që sot qeveris Shqipërinë. Të tjerët mund të bëjnë dhe mund të thonë çfarë të dëshirojnë, qoftë brenda, qoftë jashtë. Ne jo!

Dhe e fundit, por kjo nuk është në fakt shumë e lidhur me punën e qeverisë. Së shpejti do të mbledhim dhe Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të marrë disa vendime për ecurinë e mëtejshme të qeverisë.

Top Channel