Vatra e zjarrit në Belsh po shkon drejt shuarjes, pas disa orëve, ndërsa një sipërfaqe e konsiderueshme me ullinj dhe shkurre është shkrumbuar nga flakët.
Flakët nisën fillimisht në kodrat e fshatit Pajovë në Bashkinë e Peqinit e më pas, të favorizuara nga era e fortë, u zhvendosën në jug duke përfshirë kodra të tëra me ullinj pranë fshatit Qafë Shkallë në Bashkinë e Belshit.
Ekipeve zjarrfikëse të Belshit u kanë ardhur në ndihmë efektivë dhe mjete të zjarrfikëseve Peqin dhe Cërrik. Të angazhuar gjithashtu në vënien nën kontroll të flakëve janë edhe dhjetëra banorë të zonës.
Moti me temperatura të larta dhe erë të fortë e favorizoi përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Terreni i vështirë për kalimin e mjeteve u bë pengesë për shuarjen e zjarrit.
Kjo ishte vatra e parë e konsiderueshme këtë verë në qarkun e Elbasanit, i cili deri tani nuk ka pasur problematika të mëdha nga zjarret.
Top Channel