Situata e zjarreve në territorin e vendit paraqitet më e mirë, gjatë orëve të fundit.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një postim në Facebook, i cili tha se është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave të zjarrit.
“Pas një pune të gjatë të trupave të emergjencave civile në bashkëpunim me efektivë të FA, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave”, shkruan Peleshi.
Por ka ende vatra aktive, në qarkun e Korçës, në Konispol dhe Finiq, ku po punohet për shuarjen e flakëve, me efektivët zjarrfikës në krye të detyrës.
“Në qarkun e Korçës ka një vatër aktive zjarri, në fshatin Arrëz, të bashkisë Devoll, e cila u riaktivizua pas izolimit të dy ditëve më parë. Po punohet në terren për fikjen e tij. Puna vijon edhe në malin Stilos, në bashkinë Konispol dhe fshatin Grazhdan, të bashkisë Finiq ku efektivë zjarrfikës po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarreve”, tha ministri.
Ndërkohë në Fier, Delvinë, Tepelenë, Lushnjë, Elbasan dhe Berat, është bërë e munudr shuarja përfundimtare e vatrave të zjarrit.
“Në fshatin Jarua, në bashkinë e Fierit zjarri është shuar dhe po bëhet kontrolli i zonës. Puna ka vijuar deri në shuarjen përfundimtare të zjarreve në njësinë administrative Vergo të bashkisë Delvinë, në njësinë administrative Lopes të bashkisë Tepelenë, në Semens të Lushnjës, në fshatin Gur i Zi të bashkisë Elbasan dhe në lagjen Çlirim, bashkia Berat”, njofton Peleshi.
Top Channel