Një 41-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në fshatin Jarua të Levanit, pasi dyshohet si autor i zjarrvënies si pasojë e së cilës u dogjën dhjetëra hektarë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, me marrjen e njoftimit se në fshatin Jarua, Levan, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në sipërfaqe të mëdha pyjore, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë veprimeve të shpejta e profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit F. Rr., 42 vjeç, banues në fshatin Jarua, Fier.
Ky shtetas, me qëllim djegien e barishteve në tokën e tij, ka ndezur zjarr dhe për shkak të erës, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke djegur 20 hektarë me bimësi, 2 hektarë vreshta dhe 400 rrënjë ullinj.
Theksojmë, falë reagimit të shpejtë të Policisë dhe ngazhimit maksimal, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e veprimtarive kriminale të zjarrvënies së qëllimshme apo nga pakujdesia, gjatë këtij sezoni, janë vënë në pranga 4 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas dhe 1 është shpallur në kërkim.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.
Top Channel