Kosovë/ Ministria e Arsimit, nga nesër 80 euro për blerjen e teksteve shkollore

24/08/2023 21:09

Ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci, njoftoi të enjten vonë se do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa për t’i marrë ato prindërit duhet të aplikojnë online nga nesër, 25 gusht.

Duke iu drejtuar prindërve të nxënësve fillorë përmes një videoje në llogarinë e vet në Facebook më 24 gusht, Nagavci tha: “Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.”

Ndërkohë, për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore nga viti i kaluar, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore, njoftoi ajo.

Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.

Por, Nagavci njoftoi në fillim të kësaj jave se ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Për rrjedhojë, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.

Çmimet e teksteve shkollare në disa librari në Prishtinë për nxënësit e klasës së parë deri në të pestën, arrijnë deri në 60 euro, ndërsa për ata në klasën e gjashtë deri në të nëntën, deri në 80 euro.

Prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të Qeverisë, E-Kosova, për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Ky vendim i ministres Nagavci është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka kërkuar dorëheqjen e saj, si dhe nga vetë Këshilli i Prindërve i Kosovës.

Për kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, situata e krijuar është një “kaos”.

Sipas tij, prindërit kanë filluar tashmë të shprehin ankesa e shqetësime, pasi kjo “e vështirëson situatën e tyre financiare”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kërkoi dorëheqjen e Nagavcit shkaku i asaj që e ka cilësuar si “keqmenaxhim të vitit shkollor”, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkoi edhe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Kosova nuk e meriton një ministre që ka dështuar në çdo nivel të menaxhojë me arsimin dhe përfundimisht është dorëzuar duke ia kaluar përgjegjësinë prindërve”, tha Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku, gjatë një konference për media më 22 gusht./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA