Koreja e Veriut ka bërë të ditur se përpjekja e saj e dytë për ta vendosur një satelit spiun në hapësirë dështoi më 24 gusht, tre muaj pas dështimit të përpjekjes së parë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e ka bërë prioritet për vendin e ri lëshimin e një syri ushtarak në qiell, duke pretenduar se vendin e tij, që posedon armë bërthamore, ofron kundërpeshën e nevojshme ndaj aktivitetit të shtuar të forcave amerikane në rajon.

Administrata Kombëtare e Zhvillimit të Hapësirës Ajrore (NADA) “drejtoi lëshimin e dytë të satelitit zbulues Malligyong-1”, tha Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

“Lëshimi dështoi për shkak të një gabimi në sistemin e shpërthimit emergjent gjatë fluturimit të fazës së tretë”, tha NADA, duke shtuar se problemi “nuk ishte një problem i madh” dhe se do ta tentonte lëshimin e këtij sateliti sërish në tetor.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se detektoi lëshimin e raketës së supozuar hapësinore rreth orës 3:50 të mëngjesit, sipas kohës lokale, dhe se ajo fluturoi mbi Detin e Verdhë. Ajo shtoi se kishte filluar një operacion kërkimi dhe gjetjeje të rrënojave të raketës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut kritikoi këtë përpjekje të Koresë së Veriut dhe përpjekjen e saj të mëparshme në maj, duke thënë se Pheniani “po shpërdoronte burimet e pakta për provokime të pamatura, ndërsa fajëson zyrtarët më të ulët për situatën ekonomike që po e çon popullin drejt urisë dhe vdekjes”.

Koreja e Veriut kishte njoftuar rojën bregdetare të Japonisë se një lëshim satelitor do të ndodhte midis 24 dhe 31 gushtit, duke bërë që Tokio të mobilizonte anijet dhe sistemin e saj të mbrojtjes raketore PAC-3.

“Sjellja e tillë bie ndesh me rezolutat e OKB-së dhe ne po e protestojmë atë me vendosmëri”, tha kryeministri japonez, Fumio Kishida.

Koreja e Veriut është e ndaluar me rezoluta të shumta të OKB-së të testojë teknologjinë balistike, e cila përdoret si për satelitët, ashtu edhe për raketat hapësinore.

Lëshimi “rrezikon ta destabilizojë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson.

Kjo përpjekje e fundit e Koresë së Veriut vjen menjëherë pasi Uashingtoni dhe Seuli filluan stërvitjet e mëdha të përbashkëta ushtarake më 21 usht. Këto stërvitje vjetore, të cilat gjithmonë zemërojnë Phenianin dhe janë shënjestruar nga hakerët e Koresë së Veriut, do të zgjasin deri më 31 gusht.

Marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut janë tensionuar veçanërisht shumë së fundi dhe përpjekjet diplomatike janë bllokuar pas tentimeve të dështuara për ta diskutuar denuklearizimin e Phenianit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA