Ish-presidenti Trump pritet të paraqitet në burgun e Xhorxhias

24/08/2023 18:07

Donald Trump pritet të paraqitet të dorëzohet të enjten në mbrëmje tek autoritetet e Xhorxhias për t’u përballur me akuzat për përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020 në atë shtet, proces që përfshin një element historik: fotografimin e një ish-presidenti amerikan si i dyshuar.

Dorëzimi i Trump vjen një ditë pas debatit presidencial ndërmjet rivalëve të tij kryesorë në kampin republikan, garë kjo në të cilën ai vazhdon të kryesojë me gjithë problemet e shumta ligjore. Paraqitja e tij në Xhorxhia, edhe pse nuk pritet të zgjasë shumë, do të largojë të paktën përkohësisht vëmendjen nga kundërshtarët e tij, të cilët gjatë debatit të së mërkurës në mbrëmje munduan të shfrytëzojnë mungesën e Trump për të përmirësuar shanset e tyre në garën presidenciale.

Aktpadia e ngritur nga prokuroria e qarkut të Fultonit në Xhorxhia, është çështja e katërt penale kundër Trump që nga muaji mars, kur u bë ish presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballej me aktpadi. Ai po përballet me akuza federale në Florida dhe Uashington. Këtë muaj, ndaj Trump dhe 18 bashkëpunëtorë të tij – përfshirë ish-shefin e kabinetit, Mark Meadows, dhe ish- kryebashkiakun e New York-ut Rudy Giuliani – u ngritën aktakuza në bazë të një ligji anti-mafia, të përdorur në të kaluarën për të luftuar bandat kriminale dhe ato të krimit të organizuar. Giuliani, avokat dhe këshilltar i afërt i Trump – u dorëzua të mërkurën dhe u fotografua si i dyshuar.

Trump i ka shndërruar paraqitjet e tij para gjykatave në pjesë të fushatës së tij elektorale, e cila ka pasur shumë më pak aktivitete se ajo e rivalëve të tij. Lëvizjet e tij po mbulohen gjerësisht nga mediat, përfshirë me helikopterë të kompanive të medias, që përcjellin çdo veprim të tij.

Këshilltarët që menaxhojnë fushatën e Trump kanë shfrytëzuar paraqitjet e tij për të mbledhur kontribute financiare nga përkrahësit e tij, duke përshkruar akuzat si pjesë të një përpjekje të motivuar politikisht për të dëmtuar gjasat e tij për t’u rizgjedhur president.

Paraqitja e tij në Atlanta, do të jetë më ndryshe se të tjerat. Ai detyrohet të dorëzohet në një burg famëkeq – por pa paraqitje në gjykatë. Në rastet tjera, ai nuk është detyruar të fotografohet si i akuzuar, por zyrtarët e qarkut të Fultonit thanë se do të veprojnë në përputhje me procedurat, që përfshijnë fotografimin e tij si të çdo të akuzuari tjetër.

“Ne do të veprojmë sipas praktikave tona të zakonshme, dhe pavarësisht statusit, do të përgatisim fotografimin,” deklaroi sherifi i Qarkut të Fulton, Patrick Labat.

Prokurorja e Qarkut Fani Willis u ka dhënë të gjithë të akuzuarve afat deri të premten pasdite që të dorëzohen në burgun kryesor të qarkut Fulton.

Trump vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat. Në një postim në rrjete sociale gjatë kësaj jave, ai tha se po ndiqej penalisht për atë që e përshkroi si “një telefonatë të përsosur”, përmes të cilës i kërkoi sekretarit republikan të shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, ta ndihmojë për “të siguruar 11,780 vota”, që të përmbysë humbjen e tij në këtë shtet ndaj kandidatit demokrat, presidentit të tanishëm, Joe Biden.

Trump pritet të dorëzohet në burgun e qarkut Fulton, një burg famëkeq. Në korrik, Departamenti amerikan i Drejtësisë hapi një hetim për kushtet në atë burg, duke vënë në dukje qelitë e papastra, dhunën brenda burgut dhe vdekjen e një të burgosuri vitin e kaluar, kufoma e të cilit ishte gjetur e mbuluar nga insektet në pjesën psikiatrike të burgut. Tre të burgosur në qarkun e Fultonit kanë vdekur gjatë muajit të fundit.

Por, Trump nuk pritet të kalojë shumë kohë aty. Avokatët e tij dhe prokurorët janë pajtuar për pagesën e 200 mijë dollarëve si garanci dhe kushte të tjera, përfshirë ndalesën e shantazhimit të të akuzuarve të tjerë, dëshmitarëve apo viktimave në këtë rast, përfshirë në rrjetet sociale.

Kur të akuzuarit arrijnë në burg, ata zakonisht kalojnë nëpër kontroll sigurie, dhe pastaj paraqiten formalisht. Gjatë procesit, të akuzuarit zakonisht fotografohen dhe u merren shenjat e gishtërinjve, dhe pyeten për të dhënat personale. Meqë Trump tashmë është pajtuar për shumën e garancisë, ai do të lirohet nga paraburgimi në momentin që përfundon procesi i paraqitjes.

Ndryshe nga juridiksionet e tjera, në qarkun e Fultonit, leximi i aktpadisë, kur i akuzuari paraqitet në gjykatë për herë të parë, zakonisht bëhet pasi i akuzuari dorëzohet në burg dhe realizon procesin e paraqitjes, jo brenda të njëjtës ditë. Kjo do të thotë se Trump do të udhëtojë në Xhorxhia sërish gjatë javëve në vijim, edhe pse nga zyra e sherifit në Fulton deklaruan se në disa raste leximi i aktpadive mund të bëhet edhe virtualisht, nëse një gjë e tillë lejohet nga gjykatësi i çështjes. Gjykatësi, po ashtu, mund ta heqë këtë procedurë në rastit e Trump.

Kur Trump të dalë para gjyqit, shumica e seancave gjyqësore do të jenë të hapura për publikun. Gjykatat në shtetin e Xhorxhias lejojnë fotografimin dhe xhirimin e seancave, ndryshe nga gjykata federale dhe gjykata e New York-ut , ku qasja e mediave është tejet e kontrolluar.

Fotografët në Manhatan të New York janë lejuar që për një kohë të shkurtër të fotografojnë Trump ndërsa rrinte i ulur në bankën e dëshmitarëve. Gjykatat federale ndalojnë fotografimin, xhirimin apo incizimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA