Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Drejtoria e Rrugëve pranë bashkisë së Tiranës është fokusuar tek sinjalistika rrugore për t’i ardhur në ndihmë nxënësve të shkollave por edhe drejtuesve të automjeteve që të mund t’i shohin nga larg vizat e bardha dhe të vendosin këmbën në frena më parë se të afrohen pranë tyre për të mos rriskuar këmbësorët.
Edhe pse drejtuesit e automjeteve duhet të ndalojnë menjëherë sapo këmbësori shkel në viza të bardha, të rrallë janë drejtuesit që e respektojnë në vendin tonë pa lënë mënjanë rastet kur edhe këmbësorët nuk i respektojnë vijat e bardha. Por për t’i bërë më të dukshme ato, të paktën në orët e darkës bashkia ka vendosur tabela me ndriçim.
“Aty ku nuk ka semaforë kemi vendosur tabela me led që sinjalizon drejtuesin se po afrohet në vija të bardha”, tha Ylber Lama, përgjegjës i sinjalistikës rrugore.
Pothuajse të gjithë semaforët në kryeqytet tanimë po plotësohen edhe me pajisje zanore për personat e verbër.
“Po i plotësoj me pasje zanore por edhe me numra në mënyrë që të paralajmërojë si këmbësorin ashtu dhe drejtuesin të bëhet gati kur hapet jeshilja”, tha Lama.
Në shtator kur të gjithë kthehen nga pushimet, rritet numri i automjeteve që qarkullon në kryeqytet duke rënduar trafikun, ndaj sinjalistika rrugore me standarte sistemon lëvizjen si për këmbësoret dhe makinat.
Top Channel