Presidenti rus Vladimir Putin, i cili përballet me një urdhër arrestimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk u paraqit personalisht sot në samitin e zgjerimit të vendeve aleate BRICS në Afrikën e Jugut.
Në një lidhje video me zhvillimet ai tha se Moska është “kundër çdo hegjemonie apo vazhdimi të politikave neo-koloniale”, duke iu referuar lidhjeve te vendeve perendimore me ish-kolonite e tyre.
Ai falënderoi gjithashtu vendet e bllokut për përfshirjen aktive dhe ndërmjetësimin në krizën e konfliktit në Ukrainë.
Presidenti afrikano-jugor Cyril Ramaphosa tha dje se aleanca e drejtuar nga Rusia po zgjerohet me vende të tjera në kuadër të synimit të saj për më shumë influencë në formëzimin e rendit të ri botëror, shkruan rrjeti francez AFP.
Pesë kombet e BRICS — Brazili, Rusia, India, Kina e Afrika e Jugut, kanë folur vazhdimisht për zgjerim të aleancës në samitin e tyre tre-ditor të Johannesburg megjithë disa antagonizma për çështje të caktuara mes anëtarëve.
Kina kërkon zgjerim të shpejtë të BRICS për rritjen e konkurencës me SHBA, sipas Pekinit, ndërsa superfuqia tjetër India, tregohet e kujdesshme për qëllimet e Pekinit si një rival i vjetër gjeopolitik, sipas AFP.
24 shtete raportohet se kanë aplikuar për t’u përfshirë në aleancën BRICS, që sipas zyrtarëve përbëjnë 40 pëqind të popullatës së botës dhe një të katertën e ekonomisë së botës.
Në samitin aktual në Johannesburg po marrin pjesë rreth 50 krerë shtetesh.
Ramaphosa tha se mbështetja për zgjerimin e aleancës “është shprehur nga të gjithë anëtarët e BRICS”.
Top Channel