I ftuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Aleksandër Vuçiç e nisi ditën e sotme pas darkës joformale të një dite më parë më krerë të tjerë rajonale, me një shtrëngim duarsh me presidentin e Ukrainës, Volodymy Zelensky.
Sipas kreut të shtetit serb, ishte homologu ukrainas ai që kishte kërkuar privatisht një takim me të. Vuçiç sqaroi më pas se me Zelenskyn diskutuan për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, por edhe për situatën “në Kosovë dhe Metohi”.
“Patëm një bisedë të mirë e të hapur me Presidentin Volodymyr Zelenskiy mbi të gjitha çështjet e rëndësishme, si për Serbinë dhe Ukrainën, ashtu edhe për mbarë rajonin e botën. Ne diskutuam ngjarjet në Ukrainë dhe gjithashtu ato në Kosovë. Unë theksova edhe një herë se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, të cilin ne e kemi thënë qartë dhe pa mëdyshje që nga fillimi i konfliktit”, shprehet Vuçiç.
Kreu i shtetit serb shtoi më tej se Bashkimi Europian po përgatit një program rritjeje për vendet e Ballkanit Perëndimor për muajin tetor. Përveç stimujve për shumë gjëra të rëndësishme, ai e bëri të qartë se pret ndihma shtesë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vuçiç e kundërshtoi ndërkohë një dispozite në Deklaratën përfundimtare, për të cilën u ra dakord gjatë darkës së shtruar nga Mitsotakis që kërkonte vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, kështu që sipas mediave serbe, kjo dispozitë nuk u miratua as si pjesë e dokumentit të konfirmuar mbrëmë.
Vuçiç ka deklaruar më herët se Serbia po paguan “çmim të lartë” për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Deputeti ukrainas , Oleksiy Gonarchenko reagoi ndërkohë për takimin Zelensky-Vuçiç duke thënë se nuk duhet të ketë kompromis mbi parimet e Ukrainës dhe se kjo e fundit duhet ta njohë shtetësinë e Kosovës, teksa insistoi të mos harrohet se Serbia është aleate e Rusisë.
Top Channel