Forcat izraelite të sigurisë bastisën një qytet në veri të Bregut të pushtuar Perëndimor më 22 gusht, duke çuar në luftime që lanë një palestinez 17-vjeçar të vrarë, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.
Ushtria izraelite kreu një bastisje në orët e hershme të mëngjesit në qytetin Zababdeh në jug të Jeninit, thanë mjekët lokalë. Ministria palestineze e Shëndetësisë raportoi se 17-vjeçari Othman Abu Kharj u qëllua për vdekje në kokë. Grupi militant i Xhihadit Islamik Palestinez pretendoi se Abu Kharj ishte një luftëtar i tyre.
Bastisja erdhi përderisa forcat izraelite të sigurisë ishin në kërkim të personit të armatosur palestinez i cili gjuajti me armë në qytetin verior palestinez Haëara dhe vrau një baba dhe bir izraelit më 19 gusht.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj arrestuan 15 të dyshuar palestinezë në disa qytete në veri të Bregut Perëndimor. Në Zababdeh, forcat izraelite të sigurisë thanë se hapën zjarr ndaj banorëve të cilët hodhën mjete shpërthyese ndaj tyre.
Në pjesën jugore të Bregut Perëndimor, ushtria izraelite arrestoi dy palestinezë të cilët dyshoheshin për të shtënat e një ditë më parë, që lanë të vrarë një grua izraelite dhe plagosën rëndë një burrë. Ushtria izraelite tha se dy të dyshuarit e pranuan përfshirjen në atë sulm gjatë marrjes në pyetje. Mediat palestineze identifikuan dy të dyshuarit e arrestuar si Saqer dhe Muhamad al-Shantir.
Qeveria e ekstremit të djathtë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është vënë nën presion nga anëtarët e koalicionit qeveritar që duan të ushtrojnë më shumë kontroll mbi Bregun e pushtuar Perëndimor dhe të marrin masa më të ashpra ndaj palestinezëve.
Në përgjigje të rasteve në rritje të dhunës, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se ai po i urdhëronte autoritetet të sigurojnë që anëtarëve të familjeve të palestinezëve që kryen sulmin vdekjeprurës në Hebron t’u ndalohej marrja e lejes për hyrje në Izrael, ku pagat janë pothuajse dyfish më të larta se ato në Bregun Perëndimor.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj kryen bastisje dhe arrestime në të gjithë Bregun Perëndimor, duke marrë në pyetje 20 palestinezë, duke konfiskuar automjete të paligjshme dhe duke arrestuar 13 të dyshuar të tjerë pranë Hebronit.
Gati 180 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i këtij viti, sipas një raporti nga agjencisë së lajmeve AP. Izraeli thotë se shumica e palestinezëve të vrarë ishin militantë. Por, në mesin e të vrarëve ka edhe të rinjë që protestonin me gurë kundër inkursioneve dhe disa që nuk janë përfshirë në konfrontime.
Gjatë kësaj periudhe janë vrarë edhe rreth 30 persona nga sulmet palestineze ndaj izraelitëve.
Top Channel