“Kemi gati dy muaj pa incidente në veri”, në përballjen kokë më kokë me Kyriakos Mitsotakis në Athinë, Albin Kurti kujtoi se pas dakordimin në Bratislavë, nuk ka pasur më protesta të dhunshme në katër komunat veriore me shumicë serbe, zhvillim ky që për kryeministrin e Kosovës mund të ketë vetëm një shpjegim:

Situata është e shtensionuar tashmë, dhe në këtë pikë, fokusi duhet përqëndruar tek parandalimi i një përshkallëzimi të ri të gjendjes atje nga elementë të dhunshëm.

Zyra e tij e shtypit dha detaje për takimin mjaft të përzemërt, sic përshkruhet në deklaratën e saj, i cili nisi me urimin e Kurtit për rizgjedhjen e Mitsotakisit në këtë post dhe ofertën për bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.

Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve, ka thënë Kurti që nuk harroi ta falenderonte mikpritësin për ftesën.

Dy liderët kanë diskutuar edhe për dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kurti ka nënvizuar se marrëveshja ekziston tashmë, por nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Forcimi i marrëdhënieve ekonomike ka qenë një tjetër temë bisede.

Kurti është shfaqur mjaft i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike me Greqinë, dhe i ka kërkuar hapur homologut grek shtimin e investimeve. Në darkën e së martës, teksa prekte çështjen e zgjerimit të BE-së, ai kishte theksuar se të gjitha shtetet që aspirojnë aderimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë.

Dhe kusht për fqinjësinë e mirë, nënvizoi Kurti, është njohja reciproke si de jure, ashtu edhe de facto. Minoritete do të ketë gjithmonë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e tyre.

Top Channel