Administrata e instaluar nga Moska në portin e pushtuar të Mariupol mbajti sot celebrimin e Ditës së Flamurit në sheshin qendror të qytetit.
Qendra e rëndësishme jugore u kap nga Rusia pas rrethimit tre-mujor në maj të vitit të shkuar.
Zhvillimi vjen teksa gjykatat ruse në lindje të Ukrainës dhanë sot dënime të gjata për pesë ushtarë ukrainas që kishin luftuar në rrethimin e Mariupol, me akuza se “kishin parandaluar civilët të largoheshin nga korridoret humanitare për t’i përdorur si mburoja njerëzore”.
Dënimet nga 17 deri në 20 vjet secili në kolonitë penale ruse u dhanë gjithashtu për akuza goditjeje me artileri të zonave rezidenciale në Donetsk dhe vrasje të civilëve.
Rusia i konsideron tashmë të sajat rajonet rusofone Donetsk e Lugansk në lindje, ashtu si dhe Zaporizhia e Kherson në jug, të cilat ishin pjesë e ceremonisë së aneksimit në shtator.
Dita e flamurit celebrohet në Rusi prej 22 gushtit 1994, kur u nis nga ish-presidenti Boris Yeltsin.
Top Channel