Procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës është çështje ditësh sipas ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai nuk dha detaje lidhur me punën e bërë deri më tani nga grupi i angazhuar me hartimin e udhëzimit administrativ që mundëson nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve të komunave por sqaroi se ky udhëzim, do të jetë gati në fund të muajit.

 “Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra. Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës apo cilindo kryetar të Kosovës”, u shpreh ministri Elbert Krasniqi.

Grupi i punës sipas tij, ka pasur deri tani dy takime. Më herët ministry qe shprehur se udhëzim administrativ do të jetë gati në shtator. Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës – Leposavic, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar gati tre muaj më parë.

Në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, janë shqiptarë. Serbë lokalë kanë protestuar që nga 29 maji kundër hyrjes së tyre në objektet komunale. Krasniqi shprehet se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA