Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke e konsideruar deklaratën e Vuçeviç të rrezikshme dhe të papranueshme.
Përmes një mesazhi në Twitter, Rama thekson se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”- shkruan Rama.
Stabiliteti shtetëror vazhdon të cenohet nga brenda në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ndërsa forcat pro-serbe të nxitura nga Beogradi zyrtar vijojnë në përpjekjet për destabilitet, duke i bërë dy vendet e Ballkanit Perëndimor target i kërcënimeve të Serbisë. Mesazhi i fortë i kryeministrit Rama vjen pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç në televizionin shtetëror serb.
Ministri Vuçeviç tha për Pink Tv tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e zemëruan Serbinë aq shumë kur njohën shtetin e Kosovës, saqë për këtë veprim duhet të goditen sikur po goditet Ukraina.
“A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A po flini mirë? Ata (Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut) mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre…. Kjo është karma e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur u bënë anëtarë të kësaj aleance të sigurisë kolektive ose të NATO-s, ata menduan se i kishin zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhte më atyre”, thotë Vuçeviç.
Paralajmërimi se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të përballen me probleme dhe se nuk do të qëndrojnë të qetë edhe nëse janë anëtarë të NATO-s, duhet të jetë shqetësues për Aleancën Veriatlantike, veçanërisht kur vjen nga Ballkani Perëndimor, i konsideruar prej kohësh ‘fuçi baruti’ në Evropë.
Aktualisht Shkupi po përjeton një valë tensionesh, ndërsa ndryshimet kushtetuese kanë krijuar pëplasje mes opozitës dhe qeverisë. Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkon me çdo kusht shpalljen e shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme, për të kapërcyer gjendjen e krijuar politike pas ndërprerjes së seancës së parlamentit për ndryshimet kushtetuese.
Ndërkaq, mazhoranca akuzon VMRO-në për politikat e saj anti-evropiane. Nga ana tjetër, situata është e paqetë edhe në Malin e Zi, teksa Podgorica gjendet në një moment delikat – krijimi i qeverisë së re, e cila kërkohet të jetë pro Perëndimore.
Top Channel