Keqpërdorimi i rezervave shtetërore/ Gjykata e Prishtinës vendos një muaj paraburgim për tre të akuzuarit

19/08/2023 17:55

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi për një muaj.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurit I.L dhe H.G për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve ka realizuar të premten aksion në Prishtinë, ku ka arrestuar tre personat.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se tre personat e arrestuar, dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Ndërkaq, gjatë aksionit janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtejshme hetimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA