Zgjedhjet në Kukës/ PD apel anëtarëve dhe simpatizantëve: Të punojmë për një kandidat të gjithëpranuar

18/08/2023 15:04

Partia Demokratike Dega Kukës ka dalë me një deklaratë publike në të cilën u bën apel anëtarëve dhe simpatizantëve për bashkimin me qëllim daljen me një kandidaturë të përbashkët në zgjedhjet e pjesshme vendore të 24 shtatorit.

Sipas PD dega Kukës, është në interesin e demokratëve dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar me qëllim arritjen e ndryshimit.

Partia Demokratike Dega Kukës rikonfirmon para të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj apelin për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar. 

Demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.

Ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve.

Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve”- thuhet në deklaratë.

Vlen të theksohet se, 1 shtatori do të jetë afati i fundit i partive politike për tu regjistruar si subjekte zgjedhore në garën e 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit, ndërsa data 6 e fundit për regjistrimin e koalicioneve. Projektvendimi u miratua këtë të mërkurë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më datë 11 shtator, për të vazhduar deri më datë 22. E shtuna e 23 shtatorit është heshtje zgjedhore, dhe të dielën qytetarët ti drejtohen kutive të votimit. Kandidatët e subjekteve zgjedhore duhet të dorëzojnë kandidaturën jo më vonë se data 8 shtator.

Top Channel