Shefi për menaxhim të emergjencave në Maui të Havait, Herman Andaya, ka thënë dorëheqje, një ditë pasi e ka mbrojtur dështimin e agjencisë për të aktivizuar sistemin e alarmit në javën fatale të zjarreve pyjore.
Andaya, i cili nuk ka pasur përvojë paraprake në menaxhim të emergjencave, i ka përmendur “arsyet shëndetësore” si përgjigje për dorëheqje.
Disa banorë të zonës kanë thënë për mediat se një përgjigje më e fuqishme e autoriteteve do të mund të shpëtonte më shumë jetë. Deri më tani, të paktën 111 persona janë shpallur të vdekur, dhe qindra tjerë janë të zhdukur.
Sistemi i sofistikuar i Mauit, i cili përfshin 80 sirena në ishull, është testuar në ditën të parë të secilit muaj, por zhurma nuk është dëgjuar edhe në ditën e përhapjes së madhe të zjarreve.
Të mërkurën, Andaya ka insistuar se nuk pendohet për vendimin. Ai ka thënë se është frikësuar se sirenat – që zakonisht dëgjohen kur paralajmërohet cunami – ndoshta do t’i shtynin njerëzit që të iknin në zona më thella, potencialisht më afër zjarreve.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të enjten se Qeveria amerikane është e përkushtuar për të ofruar sa më shumë ndihma në Maui për rindërtim dhe rimëkëmbje të zonës. Si pasojë e zjarreve, qyteza turistike Lahaina në Maui, është djegur pothuajse tërësisht.
Se si ka nisur zjarri nuk dihet, edhe pse konsiderohet të jetë nxitur nga erërat e nxehta të Uraganit Dora në afërsi. /REL
Top Channel