Dy turistë nga Tennessee, SHBA që kishin shkuar për disa ditë pushime në Alaska janë zhdukur në mënyrë misterioze prej një jave, pasi autoritetet gjetën bagazhet e tyre në akomodimin që kishin marrë me qera.
50 vjeçari Jonas Bare, dhe e dashura e tij Cynthia Hovsepian, 37 vjeçe, duhet të linin akomodimin e tyre më 11 gusht pas dy ditë qëndrimi, por ata nuk u paraqitën kurrë, tha policia e qytezës së Fairbanks.
Automjeti i tyre ngjyrë blu Jeep Compass që kishin marrë me qira, u gjet i braktisur në rezortin Chena Hot në të njëjtën ditë kur u shpallën të humbur, thanë autoritetet.
As Bare dhe as Hovsepian nuk kishin njoftuar largimin e tyre dhe zotërimet personale ishin lënë në vendngjarje, tha policia e Fairbanks.
Herën e fundit çifti ishin parë më 10 gusht në luginat malore te rezorteve në Fairbanks, qyteza me popullatë prej rreth 30,000 banorësh.
Hovsepian kishte gjithashtu probleme me shikimin dhe nganjëherë përdorte shkop gjatë ecjes, sipas njoftimit të policisë të personave të humbur.
Ndërsa Bare, një biznesmen nga Nashville herën e fundit kishte postuar për udhëtimin në Alaska më 8 gusht. Ai kishte njoftuar më parë se do të udhëtonte në shtetin verior të SHBA për ditëlindjen e 50-të.
Asokohe ai ironikisht shkruante për udhëtimin: “Nuk do të humbas siç bëra 10 vjet më parë në Australi, por nëse më vjen ndonjë Kodiak, e konsideroj vdekje me nder”, shkruante burri në postimin e 8 gushtit, duke iu referuar ariut të murrmë të zonës.
Policia vijon kërkimet me qen dhe helikopterë por ende nuk ka gjurmë të çiftit.
Top Channel