Mijëra myslimanë kanë djegur të paktën katër kisha dhe kanë sulmuar shtëpitë e të krishterëve në qytetin pakistanez Jaranvala, pas pretendimeve se dy burra e kanë përdhosur Kuranin, libër i shenjtë në Islam.
Policia i ka ndaluar më shumë se 100 persona dhe ka nisur hetime për dhunën që ka ndodhur në lindje të Punxhabit. Autoritetet kanë thënë se situata në Jaranvala është e tensionuar.
Agjencia e lajmeve Reuters ka thënë se policia e ka hapur një rast edhe kundër dy banorëve të krishterë nën ligjin për blasfemi, i cili parasheh dënime me vdekje. Deri më tani askush nuk është ekzekutuar sipas ligjit, mirëpo dhjetëra persona janë vrarë në të kaluarën nga turmat, nëse janë akuzuar për blasfemi.
Dy vjet më parë, një burrë nga Shri Lanka është vrarë nga një turmë e zemëruar, pas akuzave për blasfemi, dhe trupi i tij është djegur. Më 2009, turmat i kanë djegur rreth 60 shtëpi dhe i kanë vrarë gjashtë njerëz në rajonin e Punxhabit, pasi ata janë akuzuar për ofendim të Islamit.
Ligji ndëshkues për blasfeminë daton prej shekullit të 19-të kur Pakistani ka qenë koloni e Britanisë. Mirëpo më 1980, autoritetet kanë prezantuar ndëshkime më strikte për shkelje të ligjit, përfshirë dënimin me vdekje për secilin që e ofendon Islamin.
Rreth 96 për qind e popullsisë së Pakistanit janë myslimanë. Shtetet tjera, përfshirë Iranin, Brunein dhe Mauritaninë, kanë, po ashtu, ndëshkime të ashpra për ofendim të fesë. /REL
Top Channel