Mali i Zi konsiderohet lider në procesin e anëtarësimit në BE dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.

Megjithatë, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021 për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme në procesin e anëtarësimit.

Ambasadorja e SHBA-së në Podgoricë, Judy Rising Reike ka përmendur së fundi hapat që qeveria e re malazeze duhet të ndjekë për aspiratat euroatlantike të vendit. Në komentin e saj, një theks i veçantë i vendosej marrëdhënieve me Kosovën. Sipas diplomates së lartë,  Malit të Zi i nevojitet një ekzekutiv i cili të dënojë luftën ruse në Ukrainë, por jo vetëm.

“Në mënyrë që Mali i Zi të arrijë aspiratat euroatlantike, i nevojitet një qeveri që dënon agresionin e Rusisë, avokon për integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, po ashtu të përforcojë pjesëmarrjen aktive në NATO, të mbrojë të drejtat e minoriteteve dhe të përkrahë sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”, ka shkruar Reike në Twitter.

Institucionet europiane janë shprehur  të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për të ndihmuar vendin të qëndrojë në rrugën e tij strategjike dhe të ndërtojë një konsensus mbi veprimet prioritare që janë kyçe për procesin e pranimit të vendit në Bashkimin Europian.

Top Channel