Në rrugët mes objekteve të shumta hoteliere përgjatë bregdetit të Durrësit ku akomodohen mijëra pushues, infrastruktura, në jo pak raste, lë për të dëshiruar.
Pa një strukturë të mirë urbano-turistike, gjithçka duket se i është lënë në dorë rastësisë dhe ndërhyrjes së lirë të subjekteve publike dhe private.
Syri të zë rrugë të arnuara shëmtuar. Diku kanë hedhur beton për të mbyllur gropat e diku çakëll. Pirgje inertesh e mbetje urbane.
Më tej, asfalti është prishur në mes të rrugës pa u kthyer në gjendjen e mëparshme. Problemet në infrastrukturë shqetësojnë jo pak pushues.
“Këtu është problem kanalizimesh se një kolektor … bllokohet shpesh se dhe pompat nuk thithin menjëherë dhe mbeturinat depozitohen brenda. Me një rrebesh mbytet me ujë e gjithë kjo zonë”, thonë turistët.
Edhe përgjatë rrugës dytësore Plepa-Golem, ai pak trotuar, që ka mbetur pa u zaptuar nga hotelet buzë rrugës, është dëmtuar dhe askush nuk vë dorë.
Kjo gjendje e infrastrukturës në plazhet e Durrësit nga Ura e dajlanit deri te Përroi i Agait e zbeh shkëlqimin e hoteleve të shumta, ku bizneset kanë investuar miliona euro për të siguruar komoditetin e duhur për pushuesit.
Jashtë mikrofonit, edhe pronarë e operatorë të hoteleve janë të vetëdijshëm për ndikimin që infrastruktura jo e mirë përreth ka për bizneset e tyre dhe turizmin në përgjithësi. Investimi në të do të përmirësonte kohëzgjatjen e qëndrimit dhe kënaqësinë e kthimin e vizitorëve, si dhe reputacionin e të gjithë kësaj zone turistike.
Top Channel