Pamje tronditëse/ Momentet e fundit të jetës së tifozit të AEK-ut! I gjakosur gjen strehë pas frigoriferit të supermarketit

17/08/2023 15:49

Dalin pamjet tronditëse të momenteve të fundit të tifozit të AEK-ut, Michalis Katsouri, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë nga disa tifozë kroatë në orët e vona të së hënës kur tifozët e Dinamo Zagrebit, të cilët u nisën me makina nga kryeqyteti kroat mbërritën në Filadelfian e Re.

Videot e siguruara nga Protothema.gr janë pamjet e përfshira në dosjen voluminoze të hetimeve që po studiohen nga grupi hetimor për të identifikuar dorën që goditi me thikë tifozin 29-vjeçar të AEK-ut duke i shkaktuar vdekjen.

 

Në videon e parë, Michalis shihet duke vrapuar drejt kioskës në rrugët Smyrni dhe Fokon në Filadelfia e Re, pas goditjes fatale, i veshur me një këmishë blu, pantallona të shkurtra, kapuç të plotë, doreza ndërsa mbante përkrenaren në dorën e majtë.

29-vjeçari hyn i gjakosur dhe ulet pas ftohësit të akullores, ndërsa pronarët e marketit e shikojnë të habitur. Sipas policisë, Mihalis ka shkuar tek kioska për t’u fshehur.

Më pas një grua dhe një burr aty pranë i japin Michalis, i cili nuk mund të mbajë as kokën lart, një letër për t’u fshirë, ndërsa gjakderdhja vazhdon.

Në një moment, një person arrin pranë marketit dhe përpiqet të ndihmojë Michalis Katsouris teksa ai është ende i ulur pas frigoriferëve. Ky person duket se po përpiqet t’i japë ujë 29-vjeçarit, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqet të informojë dikë për situatën dramatike që po ndodh përballë tij.

Në videon e radhës Mikalisi shihet duke tentuar të ngrihet në këmbë por mesa duket e kanë lënë forcat dhe për këtë arsye bie sërish në tokë, në vendin ku gjeti strehë nga sulmi i huliganëve.

Sipas konkluzioneve të mbërritura gjatë hetimeve nga autoritetet, në minutat në vijim Mihalis ka humbur edhe më shumë forcën nga gjakderdhja që i shkaktoi goditjen fatale në arterien brachiale dhe humbet jetën.

 

Për përplasjen e dhunshme mes tifozëve kroatë dhe të AEK, gjykata ka lënë në paraburgim 12 persona. Në qelinë e paraburgimit po mbahen 10 kroatë, një grek dhe një shqiptar, të cilat kanë mohuar se kanë lidhje me vrasjen dhe kanë deklaruar se kanë qenë ‘kalimtarë’.

Huliganët e akuzuar kryesisht u shprehën se ishin në vendin e gabuar në kohën e gabuar dhe se nuk ishin të përfshirë në incident. Deklaratat e 30 të pandehurve të parë janë bërë njëkohësisht para tre hetuesve. Të gjithë mohuan kategorikisht pjesëmarrjen e tyre në ngjarjen e përgjakshme, ku humbi jetën tifozi i AEK, Michalis Katsouris.

Mediat vendase thonë se bashkë me huliganët e Dinamo Zagrebit jashtë stadiumit të AEK-ut ka pasur edhe tifozë të Panathinaikos dhe së bashku kanë sulmuar tifozët e AEK-ut që ndodheshin në OPAP Arena, ku ka shpërthyer një përleshje e ashpër, me bomba molotov, shkop dhe sende të tjera. Huliganët tentuan të futeshin edhe në stadium, dyert e të cilit ishin të mbyllura.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA