Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme për ish-zyrtarë të implikuar në koncesionin e sterilizimit, me vlerë 100 milion euro.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Basha inkurajon punën e SPAK duke theksuar se loja e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të qeverisë Rama, e cila duhet hetuar në thellësi.
“Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre. Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj filozofie korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!”- tha Basha.
Hetimet e SPAK prej dy vite e gjysmë konstatojnë se koncesioni i sterilizimit është dhënë në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e Posaçme ka firmosur tetë urdhër-arreste për ish-zyrtarë të implikuar në aferën me vlerë 100 milion euro. Sakaq, sot u dha masa “arrest me burg” për ish zv. ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe biznesmenin Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.
Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, e cila theksoi se kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.
Një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Top Channel