Një 56-vjeçar nga Kolonja është në procedim penal në gjendje të lirë pasi prodhonte dhe shiste qymyr druri, në kundërshtim me ligjin.
E. G., është kapur në fshatin Orgockë, Kolonjë, duke djegur lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, për prodhimin e qymyrit, jashtë kushteve teknike dhe pa leje mjedisore.
Sipas policisë nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas e ushtronte këtë aktivitet pa licencën përkatëse dhe sasinë e qymyrit të prodhuar e magazinonte në qytetin e Ersekës dhe e tregtonte në subjekte të ndryshme.
“Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. G., 56 vjeç, banues në Ersekë, Kolonjë”, thuhet nga policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel