Studentët afganë shënojnë dy-vjetorin e rikthimit të talibanëve në pushtet (fotot)

15/08/2023 18:49

Qeveria talibane e Afganistanit ka shënuar sot në një ceremoni dy-vjetorin e ardhjes në pushtet, teksa mbështetësit celebronin ndërsa kritikët denonconin kufizimet e ashpra qeveritare, sidomos ndaj të drejtave të grave.

Flamurët e Emiratit Islamik të Afganistanit – siç është tashmë emri formal i shtetit – shiheshin në të gjitha rrugët e Kabul, për të shënuar 15 gushtin 2021, kur qeveria e mbështetur nga SHBA ra dhe liderët e saj u larguan nga vendi në ekzil.

Në këtë dy vite Talibanët kanë vendosur ligje sipas interpretimit të tyre strikt të fesë islame, ku pesha më e rëndë ka rënë ndaj grave.

Në një deklaratë të rastit të autoriteteve, thuhej se fitorja “i hapi rrugë vendosjes së sistemit islamik në Afganistan”.

“Fitorja e Kabul provoi se asnjë nuk mund të kontrollojë kombin krenar të Afganistanit dhe se asnjë pushtues nuk do të lejohet të kërcënojë lirinë dhe pavarësinë e vendit”, thuhej në të.

Qindra mbështetës talibanë, të rinj e të vjetër ishin mbledhur sot pranë ndërtesës së braktisur të ambasades se SHBA për të festuar, edhe pse vendi nuk njihet formalisht nga shumica e shteteve.

Automjete ushtarake amerikane që përdoren tashmë nga liderët talibanë, kalonin mes portave të hapura të ambasadës.

Në qytetin perëndimor të Herat turmat brohorisnin “vdekje amerikanëve, vdekje evropianëve, rroftë Emirati Islamik i Afganistanit.”

Ndërsa në Kandahar, bastioni fillestar i lëvizjes Talibane pritej të organizohej një paradë ushtarake që më pas sipas njoftimeve për gazetarët, u anullua.

FOTO GALERI
3/5
Qindra mbështetës talibanë, të rinj e të vjetër ishin mbledhur sot pranë ndërtesës së braktisur të ambasadës se SHBA për të festuar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA