Mijëra turistë evakuohen nga qyteti bregdetar francez prej zjarreve të papritura shkatërrimtare (foto-video)

15/08/2023 15:30

Mediat franceze raportonin sot për mijëra të evakuar nga një rezort i njohur turistik ku zjarre të papritura e të papërmbajtshme shkatërruan shtëpi dhe sheshe kampingu të turistëve.

Zjarret raportohet se shkatërruan disa hektarë tokë në jugperëndim të Francës në kufi me Spanjën në rajonin turistik të Pyrenees-Orientales, pranë rezortit bregdetar të Argeles.

Në pamjet e publikuara në rrjet shihen flakët që i afrohen vendeve të kampingut ku familjarë largoheshin në panik teksa tymi i zi vishte qiellin.


Më shumë se 2,000 turistë raportohet se janë evakuar nga kampingët e tyre të pushimeve duke u vendosur në akomodime të përkohshme në qytet.

Kryebashkiaku vendas fliste për të evakuar ende në rroba banje që ishin urdhëruar të largoheshin drejt qendrës së qytetit.

Zjarret e nisura në fshatin e Saint-Andre u përhapën shpejt drejt bregdetit në Sorede dhe Argeles duke shkaktuar dëmet teksa sot zyrtarët thanë se zjarret janë vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së rreth 450 zjarrfikësave dhe mjeteve ajrore.

Rajoni kufitar i Pyrenees-Orientales është prekur më shumë nga zjarret në Francë teksa javës që shkoi një tjetër vatër goditi në Bordeaux ku disa mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga rezortet dhe vilat e tyre të pushimeve.

Autoritete në anën spanjolle të kufirit Basque thanë se Franca kishte ndaluar kamionët e mallrave të kalonin në pikën kufitare të Irun.

Zjarre të shumta kanë goditur disa vende të Evropës jugore gjatë sezonit të nxehtësisë edhe pse shumë prej tyre besohet se kanë ardhur si shkak i zjarrvënies së qëllimshme.

Greqia, Italia, Algjeria e Tunizia kanë humbur në total më shumë se 1000 km katrorë prej zjarreve, sipas llogaritjeve të BE.

Ishulli grek Rodos – i njohur për plazhet dhe vendet arkeologjike të lashtësisë – u dogj nga zjarret për 11 ditë muajin që shkoi.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA