Kosovë, zbulime të reja arkeologjike/ Në Ulpianë shfaqet një mbishkrim i perandorit Justinian

15/08/2023 14:59

Në verilindje të qytetit të lashtë të Ulpianë, pranë Prishtinës arkeologët kanë zbuluar një mbishkrim të një rëndësie të veçantë.

Kjo është pamja e vetme e tij që është publike, pasi për një kohë nuk do të shfaqet. E përmendja e Dardanisë në të është një prej arsyeve që e bënë atë më të rëndësishme për arkeologët.

 “Këtë vit kemi arritë me e gjetë edhe një mbishkrim që është dedikim i perandorit Justinian. Mbishkrimi na flet për atë që ishte perandori Justinian me bashkëshorten e tij Teodorën të cilët kishin marrë vendimin për ta ndërtuar qytetin, duke se ishin ata që janë kujdesur edhe për lokacionin dhe kanë marrë përsipër financimin e ndërtimit të qytetit, që në këtë mbishkrim quhej qytet dardan”, tha arkeologu Arben Hajdari.

Ky dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, tregon shumë për historinë e lashtë të popullit tonë.

“E para përmendja e Dardanisë apo qytetit Dardan, tregon se ata nuk ishin romanizuar siç pretendohej e siç është shkruar. Dmth ata jo vetëm që nuk ishin romanizuar por kishin dalë në mesjetë si entitet i konsoliduar. Na tregon se perandori Justinian, që është me origjinë ilire, respektin e tij për vendin. Është i vetmi mbishkrim i zbuluar deri më sot që tregon se ishte perandori ai që ka marrë vendim për ndërtimin e qytetit”, shtoi ai.

Nga kërkimet dy vjeçare në këtë hapësirë nga arkeologët e Kosovës dhe Francës, zbulimi i mbishkrimit është i një rëndësie unike, për faktin që i provon shumë shkrime të antikitetit të vonë.

 “Për herë të parë kemi një dedikim, në gjuhën latine nga Perandori Justinian dhe gruaja e tij Teodora, jo vetëm për kishat, por edhe për qytetin. Dardania nuk është surprizë pasi ka shumë prova se ndodhemi në Dardani. Aqë ishte ishte befasi për ne është dedikimi që dëshmon edhe shkrimet e shërbëtorit të tij që tregon se kur Ulpiana u dëmtua nga tërmeti dhe vërshimet, u rindërtua nga perandori dhe e emëroi Justiniana Sekunda”, tha arkeologu Christophe Goddard.

Përpos mbishkrimit, ajo çka është gjetur këtu janë edhe rrënoja e një bazilike të viteve 500. Çka e rritë vlerën e saj arkeologjike, është e vetmja që ka mbetur e kompletuar nga perandori Justinian.

“Kjo e bën të mrekullueshme, sepse e dimë që kjo ndërtesë ka rëndësi për perandorin, ai ka vendosur për pamjen, psh ato që shohim në dysheme, janë diçka që perandori vendosi t’i të ishin aty. Duhet të dini se të gjitha ndërtesat e Justiniani, nuk e kanë dyshemenë, për shkak se janë rikonstruktuar, por këtu e kemi”, shtoi Goddard.

Gërmimet do të vazhdojnë edhe më tutje, pasi janë 17 hektarë ku mendohet se shtrihet qyteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA