Një prokurore në Xhorxhia pritet që këtë javë të paraqesë para një jurie të madhe, rastin e saj kundër ish Presidentit Donald Trump.
Megjithë masat e rrepta të sigurisë, disa zyrtarë shprehen të shqetësuar se një akuzë e katërt e mundshme kundër zotit Trump për ndërhyrje në zgjedhje, mund të pasohet me dhunë.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias përgatiti materialin në vazhdim.
Masat e sigurisë janë shtuar në Bashkinë e Fultonit në Xhorxhia, para ngritjes së një aktakuze të katërt të mundshme kundër ish Presidentit Donald Trump. Gjatë kësaj jave, prokurorja Fani Willis pritet të paraqesë argumentet e saj para një jurie të madhe.
Hetimet janë përqendruar në dyshimet se zoti Trump ka ushtruar trysni ndaj zyrtarëve elektoralë të shtetit të Xhorxhias, për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe se është përfshirë në komplot për të përdorur elektorë të rremë.
Ish presidenti e quan hetimin kundër tij një gjueti shtrigash. Zyrtari kryesor zgjedhor në Xhorxhia, Gabriel Sterling, i cili ndihmoi në rinumërimin e votave në zgjedhjet e vitit 2020 në këtë shtet, pritet të jetë një prej dëshmitarëve në këtë rast.
Ai foli në emisionin “Këtë Javë” të rrjetit ABC. “Ne i numëruam fletëvotimet tre herë. Ai e humbi Xhorxhian, por vazhdon të thotë se nuk e humbi. Thjesht po krijon tension dhe kaos”, thotë zoti Sterling.
Ai u pyet nëse kritikat e forta publike të zotit Trump ndaj prokurores Willis, mund të nxisin dhunë.
“Nuk besoj se do ketë një grup komplotistësh të bashkuar. Por mund të ketë ndonjë një individ të paqëndrueshëm mendërisht, që do të radikalizohet në këtë proces”, thotë ai.
Nëse ish presidenti paditet në Xhorxhia, votuesit duhet të vlerësojnë me kujdes premtimet e zotit Trump si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, thotë kandidati tjetër republikan për president, Chris Christie, në rrjetin ABC.
“Unë mendoj se votuesit republikanë duhet të analizojnë nëse ai, i akuzuar në katër raste të ndryshme dhe duke pasur parasysh sjellen e tij, është dikush që mund të fitojë ndaj Joe Bidenit, ose ndonjë demokrat itjetër në nëntor të vitit 2024”, thotë zoti Christie.
Vetë Presidenti Joe Biden është nën hetime për lidhur me disa dokumente sekrete që iu gjetën në shtëpinë e tij dhe që nuk duhej t’i kishte aty.
Ndërkohë javën e kaluar u emërua një prokuror i posaçëm për të hetuar në mënyrë të pavarur marrëdhëniet biznesore jashtë vendit të djalit të presidentit, Hunter Bidenit.
Ligjvënësi demokrat, Jamie Raskin komentoi rastin në rrjetin ABC.
“Është e qartë se ky djalë ishte i vrarur nga droga dhe se bëri shumë gjëra të paligjshme dhe të gabuara. Ne kemi thënë që ta lëmë sistemin e drejtësisë të bëj punën e vet”, thotë zoti Raskin.
Pas zbulimit të marrëveshjes së Departamentit të Drejtësisë me Hunter Bidenin, ku ky do të pranonte fajësinë për shmangie të taksave dhe armëmbajtje pa leje, e cila dështoi, pasi nuk u pranua nga gjykatësi, sipas prokurorëve, mundësitë që çështja kundër djalit të presidentit të shkojë në gjyq, janë shumë më të larta./Voa
Top Channel