Sipërmarrjet sportive nuk janë në periudhën më të mirë gjatë verës. Pushimet sjellin edhe një shkëputje të njerëzve nga aktiviteti sportive.
Denis Jotin, trajnerin personal e takojmë në një palestër thuajse të boshatisur, në pritje të rritjes së interesit në shtator.
“Fluksi ka rënë se është sezonale. Dy herë në vit ndodh kjo, në verë dhe në dimër kur marrin pushimet. Po ne kemi një thënie që një ditë pa aktivitet fizik është si një javë, një javë si një muaj dhe një muaj si një vit. Kur konsumojmë ushqim duhet ta djegim, të merremi me aktivitet sportiv”– shprehet trajneri Denis Joti.
Jo vetëm për t’u dukur bukur, por edhe për të pasur shëndet të mirë, aktiviteti fizik është i rëndësishëm për studiuesit. Në pamundësi të një agjende të ngjeshur të përditshme sportive, Joti këshillon gjëra bazike që duhet të kryejmë edhe kur jemi me pushime të paktën 3 herë në javë. Ecje 30 minuta në ditë e minimalisht realizimi i 4000 deri në 10 000 hapa e kujdes në ushqyerje janë të mjaftueshme sipas Jotit për të mbajtur trupin në formë.
“E mira është të mos kemi pauzë të gjatë, e ecjen ta çojmë në zero. Meqenëse jemi në sezon e shkohet në plazh, le të bëjnë aktivitet kryesor notin. Por edhe ecja çdo ditë është e domosdoshme. Edhe ushqimet duhet të kenë kujdes të shmangin fast food, pijet me gaz”.
Veç sportit, rekomandohet një dietë ushqimore e kontrolluar, por duke ia plotësuar vetes edhe tekat e pushimeve. Pa harruar se çdo gjë e tepruar është e dëmshme.
“Nuk duhet të hamë gjëra industriale sidomos sheqerna. Do tolerojmë ndonjë akullore se të freskon edhe i bën mirë trupit ndonjëherë, por mund t’i zëvendësojmë ato me fruta, me sheqer bio”.
Top Channel