Politikani i ekstremit të djathtë, kandidat i preferuar në zgjedhjet presidenciale në Argjentinë

14/08/2023 17:28

Përfaqësuesi i lëvizjes së djathtë ekstreme, Javier Milei tronditi kastën politike argjentinase.

Ai doli si politikani më i votuar në garën paraprake për t’u kualifikuar si kandidat për president në zgjedhjet e përgjithshme të muajit tetor.

Zoti Milei, që njihet si adhurues i ish Presidentit Trump, kërkon eliminimin e Bankës Qendrore të Argjentinës, i konsideron ndryshimet klimatike si një teori të pavërtetë, thotë se edukata seksuale në shkolla është një komplot për të shkatërruar familjen, beson në legalizimin e shitjes së organeve dhe dëshiron ta bëjë më të lehtë blerjen dhe zotërimin e armëve.

Në fjalimin nga selia e tij, zoti Milei u betua t’i “jap fund kastës parazite, të korruptuar dhe të padobishme që ekziston në këtë shtet”, siç u shpreh ai.

“Sot ndërmorëm hapin e parë drejt rindërtimit të Argjentinës,” thotë ai. “Një Argjentinë ndryshe është e pamundur me të njejtit njerëz.”

“Këta janë njerëzit e vjetër, që kanë dështuar gjithmonë, të njejtit njerëz të vjetër që kanë dështuar në 100 vjetët e fundit,” shtoi zoti Milei.

Me 92 për qind të votova të numëruara deri të dielën në mbrëmje, analistët janë të një mendimi, se kandidati që fitoi famë dhe u popullarizua duke kritikuar me pasion të ashtuquajturën “kastë politike,” i tejkaloi pritshmëritë. Zoti Milei mori 30 për qind të votave, ndërkohë që kandidati kryesor i koalicionit opozitar, “Të Bashkuar për Ndryshim”, fitoi 28 për qind dhe kandidati i koalicionit qeverisës, “Bashkimi për Atdheun”, mori 27%.

Rezultatet e para sugjerojnë që Argjentina është shteti i fundit në rajon, ku votuesit po mbështesin kandidatë, që nuk i takojnë klasës aktuale politike, si një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e tyre kundër politikanëve tradicionalë.

Në Argjentinë, pakënaqësia është e dukshme mes votuesve. Vendi po përballet me një inflacion vjetor prej mbi 100 për qind, shtim të varfërisë dhe zhvlerësim të monedhës. Zoti Milei fitoi përkrahje me idenë e tij që Argjentina të zëvendësojë monedhën e saj peso, me dollarin amerikan.

Edhe në koalicionin opozitar, votuesit preferuan kandidatin me prirje të djathta. Ish Ministrja e Sigurisë, Patricia Bullrich e mundi kandidatin e qendrës, prefektin aktual të Buenos Ajresit, Horacio Rodriguez Larreta.

Koalicioni qeverisës mori goditje nga votuesit për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Kandidatët nga radhët e këtij koalicioni u renditën në vendin e tretë. Ministri aktual i ekonomisë, Sergio Massa fitoi si kandidati kryesor presidencial nga ky koalicion.

Zyrtarët e partisë së zotit Milei ndihen të kënaqur, ndërkohë që përkrahësit e tij festuan para selisë, duke u shprehur optimistë, se mbështetja për kandidatin e tyre do të shkojë duke u rritur deri në tetor.

Në prag të zgjedhjeve, analistët kishin paralajmëruar se fitorja e zotit Milei do të trazonte tregjet financiare dhe do të çonte drejt rënies së vlerës së pesos, për shkak të pasigurisë rreth politikave të tij ekonomike dhe zbatimit të tyre nëse bëhet president.

Zoti Milei ka shërbyer si deputet në Dhomën e Ulët të Kongresit të Argjentinës, që nga viti 2021 dhe ishte kandidati i vetëm nga radhët e partisë së tij, të quajtur “Liria Avancon.”

Ndonëse zgjedhjet e së dielës përzgjodhën kandidatët për garën presidenciale, ato ishin një test se ku qëndrojnë votuesit argjentinas në prag të zgjedhjeve të tetorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA