Në Gjykatën Speciale në Hagë vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të seancës, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka kërkuar nga trupi gjykues që të jepte një njoftim lidhur me çështjen e trafikimit të organeve, duke deklaruar se hetimet për këtë kanë përfunduar.
Avokati amerikan ka përmendur disa artikuj të botuar gjatë ditëve të fundit në media evropiane, ku zyrtarë të Qeverisë në Rusi kanë pretenduar se udhëheqësit e UÇK-së janë të përfshirë në trafikim organesh.
Duke ritheksuar që kjo është krejtësisht e pavërtetë, marrë parasysh edhe akuzat që janë ngritur në kuadër të aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve, Kehoe ka thënë se gjykata duhet të lëshojë një njoftim, ku theksohet se kjo çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.
“Nëse hetimi që ka të bëjë me trafikimin e organeve ka përfunduar, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë gjë, pra që nuk ka asgjë nga akuzat e ngritura kundër të akuzuarve të cilat i lidhin të akuzuarit me trafikimin e organeve. Nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë këtë trup gjykues por pavarësisht qëllimeve të tyre, ata në mënyrë të vazhdueshme vazhdojnë të përpiqen që të thonë që zotërinjtë të cilët janë të akuzuar në këtë çështje gjyqësore janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve, gjë e cila pa diskutim që nuk është e vërtetë. Ju parashtroj zotëri gjykatës që do ishte mirë që ju të jepni një njoftim, dhe të thoni që ky hetim ka përfunduar dhe kjo çështje nuk ka të bëjë fare me trafikimin e organeve”, ka thënë Kehoe.
Mbrojtja e Thaçit ka ngritur edhe një çështje tjetër, që sipas tij është shumë shqetësuese.
Ai ka përmendur deklaratat që një shqiptar nga Gjermania ka dhënë për median në Kosovë, duke thënë se të njëjtit i ishte kërkuar që të gjejë katër dëshmitarë katolik për të dëshmuar kundër Thaçit. Kehoe ka thënë se kjo ka të bëjë me ndikim mbi dëshmitarët.
“E kuptoj që ZPS ka përdorur ndërmjetës në Kosovë për të gjetur dëshmitarë megjithatë kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë nëse ka pjesëmarrje që inkurajon dikë që të gjejë katër dëshmitarë katolik dhe të vinë të dëshmojnë kundër klientit tim, presidentit Hashim Thaçi. Dua ta ngre këtë dhe të ua bëjë këtë me dije të nderuar gjykatës dhe besoj që është e drejtë të them që kjo ndërhyrje me çështje të drejtësisë, dhe për të qenë i sinqertë nuk kam asnjë vend tjetër kur të drejtoj këtë shqetësim, përveç trupi gjykues”, ka thënë ai.
Lidhur me shqetësimet e mbrojtjes së Thaçit ka reaguar prokuroi Matt Halling.
“Kjo është një çështje e cila nuk është diskutuar me neve interpartes, asnjë prej të çështjeve që u ngrit nga zotëri Kehoe, nuk ka të bëjë me dëshmitarin i cili do të vijë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, kështu që ju kërkojmë që mbrojtja e zotit Thaçi t’i parashtrojë me shkrim këto shqetësim”, ka thënë ai.
Pas kësaj, avokati i Thaçit ka thënë se parashtrimet do t’i dorëzojë edhe me shkrim ndërsa ka theksuar se duhet të jepet shpjegim nëse dikush ka kërkuar katër dëshmitarë kundër ish-presidentit.
“Nëse dikush është jashtë duke kërkuar dëshmitarë katolik për të dëshmuar kundër zoti Thaçi, kjo me të vërtetë është shqetësues”, ka theksuar ai.
Seanca po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai është i mbrojtur dhe po dëshmon me fshehje të identitetit.
Thaçi, Veseli e Selimi janë të pranishëm në gjykatë, ndërsa Krasniqi po merr pjesë në seancë online, nga qendra e paraburgimit.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Top Channel