Javën e parë të muajit gusht u regjistruan tre vrasje në Kosovë. Të tre këto vrasje ndodhën në hapësira të frekuentuara ku mbi 20 qytetarë mbetën të lënduar.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm deri në muajin korrik janë regjistruar 14 vrasje, pa llogaritur ato të muajit gusht.
Rritja e numrit të rasteve të tilla vërehet edhe për faktin sepse gjatë gjithë vitit 2021 në vend janë regjistruar 21 raste të vrasjeve.
Për këtë arsye, njohësit thonë që policia duhet të shtojë kontrollet gjatë kësaj kohe.
“Kontrollet sidomos të automjeteve, sidomos të personave. Policia duhet të bëjë sepse ligji e obligon dhe t’i bëjë me qëllim parandalues”, tha Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.
Të dyshuarit për tri vrasjet e fundit vazhdojnë të jenë në arrati, dy prej tyre janë persona të njohur prej drejtësisë.
Për këtë, njohësit vlerësojnë se ka një dështim në shqiptimin e dënimeve dhe ndjekjen e këtyre personave.
“Në rastet kur shohim recidivizëm, pra të përsëritjes së veprave penale qartazi kemi të bëjmë me dështim të politikës ndëshkimore, prandaj duhet të dihen qëllimet ndëshkimore në mënyrë që të mos kemi raste te recidivizmit”, tha Gzim Shala, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Policia po ashtu ka konfiskuar edhe një numër të konsiderueshëm të armëve pa leje nga qytetarët. Në periudhën janar-korrik të vitit 2023 ka konfiskuar 636 armë pa leje.
Top Channel