“Kulla e radhës dhe mullari i baltës”/ Rama reagon për ndërtimin e godinës 65 katëshe pas TKOB

11/08/2023 09:41

Kryeministri Edi Rama po e ndjek nga larg atë që ai e quan mullarin e radhës të baltës për kullën e re të Tiranës. Debatin e ditëve të fundit mes aktivistëve dhe politikanëve ai e ironizon, teksa tregon të vërtetën e tij.

“Halli im nuk ka lidhje lidhje fare, po fare, me asnjë nga hallet e tyre. Halli im këtu është fatmirësisht më i rëndi dhe më i thjeshti. Si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve dhe inxhinerëve, po ku ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrë që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private”.

Reagimin e tij në rrjete sociale Rama e nis me fillesat e këtij projekti, realizimin e  konkursit ndërkombëtar e shpalljen e studios daneze si fituese. E ai kujton heshtjen e aprovimit të kullës së re përgjatë një viti, deri në momentin që lulishtja u kthye në kantier ndërtimi.

Kryeministri ka një mesazh për të gjithë zërat kundërshtues, të cilët sipas tij kanë krijuar një teori konspirative politike. Më kritik Rama shfaqet me copëzat e PD dhe sidomos thumbin më të hidhur e ka për Lulzim Bashën.

“Ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë DERDIMEN I SAPOZGJUAR, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb.”

Vetë Rama nënkupton ndër rreshta se zhurma e përsëritur me kunja të vjetra nga opozita nuk do e ndalojë për dhënien e një leje tjetër ndërtimi për kullën e radhës .

“Teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje.”

Top Channel