Dosja/ Zbardhet biseda e fundit mes Rei Metës dhe ndërtuesit: Hajde pimë kafe ta zgjidhim! Meshau: Ik shiko hallin se s’më bën dot gjë

11/08/2023 10:44

Top Channel ka zbardhur dosjen e Prokurorisë për vrasjen e ndërtuesit Armando Meshau në Vlorë nga Rei Meta më 7 gusht.

Në dëshminë e tij, Rei Meta ka shpjeguar se në ditën e ngjarjes kishte shkuar në Vlorë për të takuar një shokun e tij si dhe nënën, e cila gjendej në Vlorë. Teksa ishte ulur në një lokal ai ka parë Armandon i cili i ka thënë “ika se kam punë” dhe është futur në qendrën e internetit, ngjitur me kafen.

Pas disa sekondash edhe Rei ka shkuar tek interneti. Ai i është afruar duke i thënë “hajde pimë kafe dhe flasim për kontratën që kemi. Ndërsa Armando është përgjigjur: “Nuk kemi fare se çfarë të flasim bashkë”. Rei i ka thënë: “Kemi kontratën që kam për të marrë një pronë”, por viktima i është përgjigjur: “Ik shiko hallin se nuk më bën asgjë”.

Rei ka vijuar: “Hajde ulemi dhe flasim të mos merremi me gjyqe”, ndërsa pretendon se pas kësaj Armando e ka goditur me grusht dhe ai i është kundërpërgjigjur instinktivisht, më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në dosje thuhet se konflikti mes tyre ka nisur për një apartament 60 metra katrorë në Radhimë, për të cilën Armando Meshau u  shpërblye me shifrën 7 mijë euro. Prej kontratës së nënshkruar në vitin 2020, Rei Meta thotë se nuk ka marrë pjesën e tij dhe për një periudhë prej 7-8 muajsh, Meshau nuk i hapte telefonin.

Rei Meta ka shpjeguar se me Armandon ai ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje si komision për gjetjen e një trualli në fshatin Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që shtetasi Rei Meta do të shpërblehej me 60 m2 apartament dhe në shkëmbim do i jepte Armandos 7.000 euro.

Kontrata sipas këtij shtetasi është bërë që në vitin 2020. Pasi është bërë ndertimi ai sqaron se ka kërkuar të merrte pjesën e tij, por nuk ka mundur, pasi prej 7-8 muajsh shtetasi Armando Meshau, i kishte ndërprerë komunikimin pasi nuk i hapte më telefonin.”- thuhet në dosje.

Policia gjyqësore ka pyetur edhe personat që ndodheshin në kancelari në momentin që ndodhi ngjarja. Në dëshminë e dhënë nga administratori i kancelarisë, mësohet se Rei Meta i është drejtuar Armandos me fjalët: “Unë të kam paguar për shërbimin dhe dua dokumentin”, ndërkohë Armando i është përgjigjur: “Jo me mua këto muhabete”.

Debati ka vijuar dhe Rei Meta i është përgjigjur: “Fol pak më qetë me mua se ka edhe njerëz të tjerë përreth që nuk na njohin”, ndërsa Armando është çuar në këmbë duke i thënë: “Seriozisht e ke ti” . Pas këtyre fjalëve të shkëmbyera, viktima godet Metën dhe më pas ai i kthehet duke e gjuajtur disa herë me grushte. Viktima është rrëzuar në tokë, ndëra autori është larguar me shpejtësi në drejtim të Gjykatës së Vlorës.

Rei Meta doli sot para Gjykatës së Vlorës, ku u njoh me masën e sigurisë “Arrest me burg” dhe akuzohet për “vrasje nga pakujdesia”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA