7 muajt e parë 31% më shumë turistë/ Shqipëria u vizitua nga 5.1 milionë të huaj, 1.7 milionë vetëm në korrik

11/08/2023 19:36

Mbi 5.1 milionë vizitor të huaj tërhoqi Shqipëria gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, Shifrat e bëra publike nga ministria e Turizmit, tregojnë një rritje me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë.

Sipas ministres, Mirela Kumbaro vetëm në muajin korrik në vend hynë 1.7 milionë turistë të huaj.

 “Vetëm për korrikun, 1.7 milionë vizitorë të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, ose 26% më shumë krahasuar me një vit më pare. Që prej fillimit të vitit 2023, kemi pritur 5.1 milionë vizitorë të huaj, ose 31% më shumë se viti 2022, të cilët vijnë me kuriozitetin e madh për të zbuluar diversitetin e destinacioneve turistike  dhe largohen me premtimin për t’u rikthyer sërish”, tha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

 Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve të shumtë kanë qenë dhe turistët nga Spanja të cilët kanë shënuar rritje me dyfish krahasuar me një vit më parë.

Rritje me 142% kanë pasur edhe vizitorët nga Turqia, ndërsa, sipas ministrisë, është parë një numër i lartë dhe i vizitorëve nga Mali I Zi me 62%, Franca me 58% e Italia me 53% më shumë krahasuar me vitin që shkoi.

Por nga ana tjetër, shifrat tregojnë dhe për një rikuperim të vizitorëve nga Ukraina duke shënuar 153% më shumë hyrje krahasuar me vitin 2022. Fluks të lartë vizitorësh me 152% më shumë ka pasur edhe nga Kina, kjo falë marrëveshjes së bashkëpunimit për heqjen e vizave midis dy vendeve dhe promovimin e ndërsjellë.

Gjatë vitit 2023, Shqipëria ka qenë një ndër destinacionet më të rekomanduara për të kaluar pushimet  nga të gjitha mediat ndërkombëtare

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA