Në vendin tonë ekziston një hendek mes bizneseve që kërkojnë punëtorë dhe të rinjve që nuk pranojnë të punësohen sipas kushteve të pronarëve, shpeshherë pa kontratë apo të padeklaruar, për të mos folur për mentalitetin e vjetruar.
Në Shqipëri bizneset vazhdojnë të punësojnë farefisin, ndërsa në administratën publike punësohen kryesisht militantët e partive politike.
“Kjo krijon një përçarje dhe mosbesim që të rinjtë kanë në strukturat e tregut të punës. Ata gjithashtu I shohin me mosbesim edhe thirrjet për vende pune vakante. Shpesh të rinjtë janë të orientuar edhe nga familja përgjithësisht për zgjedhjen e karrierës dhe kjo I pengon ndoshta që të jenë pak më të hapur ndaj sugjerimeve të reja dhe ndaj degëve prioritare. Kemi edhe një element tjetër të rëndësishëm përsa i përket tregut të punës. Është pranimi që duhet të bëjnë bizneset ndaj përvojave të të rinjve. P.sh. shpesh na ndodh që të shohim njoftime pune që kanë kërkesa shumë të larta edhe për pozicione që janë fillestare.
Të rinjtë e këtij brezi apo gjenerata Z janë më të prirur për të vendosur veten dhe mirëqenien e tyre në qendër dhe e kërkojnë më shumë këtë balancën mes punës dhe jetës. Kjo situatë kërkon ndërhyrje dhe reforma që në nivelin e arsimit të hershëm, jo thjesht në atë universitar dhe duke inkurajuar bizneset me politika lehtësuese që ata të punësojnë sa më shumë të rinj, që janë në kërkim të të mësuarit një profesion të ri, apo në kërkim të avancimit të karrierës së tyre. Pra me pak fjalë duhet bërë një rregullim mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, deklaroi Lutjona Lula-Eksperte për çështjet e rinisë.
Top Channel