Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Background”, u vu në pranga shtetasi D. M., 36 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas u kap në flagrancë teksa lëvizte me këmbë, në lagjen nr.15, dhe gjatë kontrollit fizik të tij, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje. Nga verifikimet ka rezultuar se 36-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për një aksident rrugor, me pasojë vdekjen. Gjithashtu, ky shtetas kishte precedent të theksuar penal për krime në fushën e narkotikëve. Në vijim, pistoleta dhe krehri i saj me fishekë luftarak, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit N. K., 56 vjeç dhe K. K., 22 vjeç (babë e bir), lidhje shoqërore të 36-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta 2 shtetas shoqëronin shtetasin D. M., kur u kap nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel