Kanë kaluar 30 vite që nga dita e nisjes së anije Vlorës nga brigjet shqiptare drejt Italisë. 8 gushti i vitit 1991 shënoi eksodin e madh të shqiptarëve, por që atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë.
Ishin plot 20 mijë shqiptarë ata që mbushën anijen e mallrave dikur, ndërsa sot sipas statistikave të ministrisë së Jashtme italiane më shumë se 20 mijë shtetas italianë jetojnë në vendin tonë. Dikur iknim ne për një jetë më të mirë, tani vijnë ata për të jetuar në Shqipëri. Po të shtosh edhe numrin e turistëve italianë që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar numri i italianëve që duan tokën shqiptare bëhet edhe më i madh.
Por çfarë ndodhi 30 vite më parë me shqiptarët që emigruan drejt Italisë? Ata u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’, ndërsa më pas pjesa më e madhe u riatdhesuan për në Shqipëri me anije dhe aeroplanë. Sipas shifrave të asaj kohe, në vendin tonë u riatdhesuan 17 mijë e 400, ndërsa në Itali mbetën 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për strehim politik. Anija e tejmbushur, ku njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit, ishte tabloja që kujtohet edhe sot. Imazhet përmes fotove dhe videove nga anija e stërmbushur me shqiptarë në drejtim të Barit, sillet shpesh herë në vëmendje.
E pikërisht ky imazh është shpërndarë edhe nga kryeministri Rama, i cili ka zgjedhur të bëjë pak ironi për të treguar se si realiteti ka ndryshuar.
“Prisni, se nuk keni parë gjë akoma”, shkruan Rama përkhrah mëmës që tregon se para 30 vitesh iknin 20 mijë shqiptarë, ndërsa sot po aq jetojnë e duan të pushojnë në vendin tonë.
Statusi i kryeministrit Rama është bërë lajm në mediat vendase. Corriere Della Sera duke deshifruar mëmën e kryeministrit shkruan se “Nëse më parë ishin shqiptarët që largoheshin drejt Italisë pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste, sot janë italianët ata që “pushtojnë” Shqipërinë për të kaluar pushimet buzë detit përgjatë brigjeve nga veriu në jug, veçanërisht midis Vlorës. , Sarande dhe Ksamil”.
Top Channel