
Aksionit të Lulzim Bashës për të çuar në SPAK atë që ai e quan malin e korrupsionit, i priu Enriketa Papa.
Dosja e kullës 158 metra të lartë, që pritet t’i shtohet qendrës së Tiranës pas shtatë vitesh, u depozitua pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit nga një prej tre pjesëve të PD.
“Depozitojmë në SPAK kallëzimin e PD-së sa i takon kullës së re të miratuar në një nga lulishtet e pakta që i ka mbetur Tiranës.Kjo është në vazhdën e denoncimit të korrupsionit dhe bashkëpunimit të oligarkisë financiare me atë politike. Ky është hapi i parë. Indicie që ka mbledhur në kuadër të shpërdorimit të detyrës, korrupsion dhe pastrimit të parave”, tha Enriketa Papa.
Më herët, Basha hodhi dyshimin se përfitues të kullës, janë edhe anëtarë të Rithemelimit, duke thënë se kasta 33-vjeçare e politikës është bashkë. Mirëpo, reagimi i foltores është i vakët. Me një deklaratë personale të hënën, Berisha tentoi të shuante zërat për “shitjen” e opozitës te kulla, duke mos e cilësuar shumë të rëndësishme atë që për shqiptarët është shqetësimi i momentit, kthimin e lulishtes në shesh ndërtimi. “Nuk mund t’i diktohet agjenda PD së tij” tha Berisha. Por studiuesi Pal Trashaj e sfidon kreun e rithemelimit për të mos heshtur.
“Kur kanë pasur interesa personale janë hedhur flakë në protesta, kurse këtu jo vetëm nuk reagojnë por fatkeqësisht opozita foltore është totalisht e implikuar. Ose të reagojë fuqishëm, të dalin në shesh. I prij unë. Të dalin në shesh, Berisha e djali i tij. Nuk dalin, janë të implikuar të gjithë , si cdo rast tjetër. Populli nuk ha bar, i kupton të gjitha. Këto po grabisin këtë vend , aq sa po ia nxjerrin dhe rrënjët”, u shpreh Trashaj.
Kundër qëndrimit të Berishës, doli edhe ish bashkëpunëtorja e tij, Evi Kokalari, e cila i quan faktet e padiskutueshme për përfshirjen e kreut të foltores me ortakët e tij biznesmenë në ndërtimin e kullës. Sipas saj ky projekt shumë i madh është bërë në kurriz të demokratëve, duke shitur jo vetëm zgjedhjet e 14 majit, por edhe të vitit 2025.
“Të ndërtosh pallate në Tiranë nuk ka asgjë të keqe, ama të shesësh votën e demokratëve që të mbështeten pazaret e familjes, jo vetëm është cenim brutal i demokracisë, por duhet në mënyrë absolute të denoncohet në SPAK & DASH”, u shpreh Kokalari.
Në emër të forumit të trashëgimisë kulturore, Trashaj ka propozuar që kjo hapësirë t’i dedikohej heronjve shqiptarë e përshtatur me parkun për argëtimin e të moshuarve dhe fëmijëve. Zhgënjimi është i dukshëm te ai, kur është në dijeni se te lulishtja po ndërtohet kulla “Mali i Tiranës” e se kush fshihet pas saj.
“Ky vend që unë mendoja të quhej sheshi i heronjve, për mua ky vend është sheshi i horrave. U bashkuan të majtë të djathtë. Kjo është pushtim, është pushtuar qendra e Tiranës. Në gjithë botën ka lulishte, argëtim, këtu bëhen kulla”, tha Trashaj.
Nga ana tjetër, aktivistët po vazhdojnë përpjekjet për të ndaluar projektin, duke organizuar një protestë të dytë këtë të martë në 18:30, në sheshin pas operës, që tashmë për ta është kthyer në skenë krimi.
Top Channel