Top Channel ka siguruar planet me hashash të kultivuara në bazën ushtarake të Artilerisë.

125 rrënjët me kanabis të zbuluara përmes një droni të Policisë së Shtetit që ka nisur një operacion në rang kombëtar, hetimet kanë angazhuar edhe policinë ushtarake.

Burimet bëjnë me dije se po verifikohen thëniet e tre ushtrarakëve të arrestuar Gramoz Mullai, Rustem Koci dhe Gentian Zhurda  me detyrë në seksionin e sigurisë, të cilët insistuan në gjykatë se nuk e kanë shpërdoruar detyrën dhe se e kishin kontrolluar territorin prej 140 hektarë, por që shqetësimet e tyre për mungesën e logjistikës i kishin përcjellë me email.

Sakaq, nën procedim në gjendje të lirë janë edhe komandanti i repartit, Petrit Dalanaj, zëvendës komandanti dhe dy të tjerë, të cilët po ashtu insistojnë se nuk e kanë shpërdoruar detyrën. I kontaktuar nga Top Channel, Dalanaj nuk pranoi të japë një version për këtë ngjarje të rëndësishme dhe të padëgjuar, sa kohë në brendësi të një reparti ushtarak u zbulua drogë, siç tregojnë edhe pamjet e siguruara nga gazetarja Anila Hoxha.

“Zonjë të lutem, mos më shqetësoni, unë jam në punët e mia. Vazhdoni punën tuaj, por më linin në punën time”, thotë ai gjatë komunikimit me celular me gazetaren Hoxha.

Deri më tani janë pyetur 11 ushtarakë që shprehen se plani i kontrollit të territorit ishte zbatuar në datat 10 dhe 11 korrik. Por askush nuk di të shpjegojë ende se si u shkel perimetri i një zonë ushtarake, të një vendi anëtar në NATO dhe për më tepër cilët janë kultivuesit që hynë në këtë bazë.

Top Channel