Qeveria synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e të gjitha banesave në vend për t’i mbrojtur nga tërmetet.

Në projektligjin e nxjerrë për konsultim publik këtë të hënë, përcaktohet se skema e sigurimit do të jetë shtetërore.

Primi i sigurimit do të përcaktohet me vendim të këshillit të ministrave sipas një metodologjie të caktuar, e cila përveç faktorëve të rrezikut do marrë parasysh edhe një sërë faktorësh të tjerë ekonomikë.

Paratë synohet t’i kalojnë agjencisë shtetërore që do të krijohet; Fondi Kombëtar i Tërmeteve, në varësinë e ministrisë së financave. Ky Fond do të mbikëqyret nga një Bord dhe do funksionojë si shoqëri aksionere.

Projektligji jep hapësira që Fondi të menaxhohet edhe nga privati, që duhet të jetë një shoqëri sigurimi ose risigurimi nga vendet e OECD-së ose BE-së dhe të ketë së paku nivel të cilësisë së kreditit A.

Ligji nuk do të përjashtojë asnjë banesë edhe ato sociale, në proces legalizimi apo që janë në zotërim nga Bashkitë. Në projektligj parashikohet se shteti do të mbulojë pagesën e primit për shtresat në nevojë.

Sipas relacionit shoqërues projektligji është i nevojshëm në kushtet kur Shqipëria renditet e para në Evropë për Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive të monitoruar nga Banka Botërore.

Pas tërmetit të 2019-ës ku buxheti ka projektuar të financojë 1 miliardë euro për programin e rindërtimit, Fondi që pritet të krijohet nga sigurimi synon të zbusë impaktet e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA